Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë sot dy seanca stërvitore. “Dardanët” janë grumbulluar që nga e hëna, ndërsa deri tash kanë ushtruar dy herë.
Ndërsa, Federata e Futbollit të Kosovës, në agjendën e ditës së sotme ka njoftuar se janë në plan dy seanca stërvitore.
E para do të zhvillohet në kampin nacional në Hajvali, duke filluar nga ora 10:30.
Kurse, e dyta do të mbahet pasdite nga ora 16:30 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri Alain Giresse po mundohet ta komponojë një skuadër solide, me gërshetim të lojtarëve të rinj me atë me përvojë. “Verdhekaltrit” do ta zhvillojnë lojën e parë të shtatorit më datën 24 në Belfast ndaj Irlandës së Veriut.
Kurse, lojën e dytë të këtij muaji dhe përmbyllëse të kësaj kampanje në Ligën e Kombeve, do ta zhvillojnë më 27 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe kundërshtar do ta kenë Qipron.
Kosova nuk e kishte një eksperiencë pozitive në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve.