Agim Ademi kërkon që Qeveria urgjentisht ta shpallë stadiumin “Fadil Vokrri” objekt të interesit nacional

Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ edhe më tutje mbetet arena e vetme në vendin tonë në të cilën mund të zhvillohen ndeshjet ndërkombëtare. Megjithatë, aktiviteti i stërngarkuar në këtë stadium, qoftë me ndeshjet e kombëtares, qoftë me ndeshjet e ekipeve tona në Evropë, por edhe me ato të kampionatit vendor, ka bërë që fusha e tij tanimë të jetë në gjendje shumë të rëndë. Si rrjedhojë, fare lehtë ky stadium mund ta humbasë licencën e UEFA-s, si stadium i kategorisë së katërt.

Presidenti i FFK-së e pranon se gjendja e fushës është e rënduar. “Ne si FFK e kemi bërë të pamundurën që ta mirëmbajmë stadiumin ‘Fadil Vokrri’, duke e ditur se është stadiumi i vetëm në të cilin mund t’i zhvillojmë aktivitetet e ekipeve tona kombëtare. Duke e parë gjendjen e fushës para 6 muajve kemi intervenuar urgjentisht me ekspert të huaj për ta sanuar gjendjen, megjithatë ajo ka vazhduar të dëmtohet si pasojë e ngarkesës së jashtëzakonshme. Gjithashtu, ka vazhduar dëmtimi i objektit edhe në segmente tjera, qoftë nga publiku, qoftë nga ekipet të cilat i kanë zhvilluar ndeshjet aty”, ka thënë presidenti Ademi, në një prononcim për faqen zyrtare të FFK-së.

Për këtë arsye presidenti i FFK-së, Agim Ademi kërkon nga Qeveria që urgjentisht stadiumin “Fadil Vokrri” ta shpallë si objekt të rëndësisë së veçantë dhe të interesit nacional.

“Renovimi i plotë i këtij stadiumi është bërë me pjesëmarrjen e Ministrisë së Sportit, Komunës së Prishtinës dhe FFK-së, por mirëmbajtja e tij është duke u bërë tash e sa vite vetëm nga FFK. Kjo nuk është aspak e lehtë, duke pasur parasysh faktin se për një vit mirëmbajtja e tij kushton rreth 170 mijë euro, teksa edhe numri i aktiviteteve është i papërballueshëm për këtë stadium. Për ta ruajtur këtë impiant, propozoj dhe kërkoj nga Qeveria që ta shpallë atë me nje vendim të veçantë si objekt të interesit nacional, siç ka vepruar me disa objekte tjera. Në të kundërtën ky stadium do të degradohet”, ka shtuar Ademi, sipas të cilit vendimi i tillë nga Qeveria do të ishte zgjidhja më e mirë për futbollin.

Ai thotë se vetëm nëse veprohet shpejt mund të shpëtohet ky stadium nga humbja e licencës së kategorisë së katërt të UEFA-s.

“Meqenëse nuk kemi arritur deri më tash ta kemi asnjë stadium tjetër të kategorisë së katërt, atëherë duhet të jemi të kujdesshëm me stadiumin ‘Fadil Vokrri’ dhe prioritet të kenë ndeshjet e ekipeve kombëtare. I kemi 8 ekipe të kombëtares që e zhvillojnë aktivitetin në këtë stadium dhe nëse kemi parasysh rregullat strikte të UEFA-s sa i përket kategorizimit të stadiumeve dhe gjendjen aktuale të stadiumit, atëherë duhet ta pranojmë se jemi në një situatë të palakmueshme dhe shumë lehtë mund ta humbim kategorinë e katërt të këtij stadiumi, e që më pas do të na sillte kokëçarje dhe humbje të mëdha”, është shprehur tutje kreu i FFK-së.

Duke e parë gjendjen e fushës, Ademi ka paralajmëruar se tashmë ndërrimi komplet i tapetit të këtij stadiumi është i pashmangshëm. “Është e pamundur që fusha ta duroj një ngarkesë të këtillë të ndeshjeve. Pas renovimit të fundit ajo është dëmtuar shumë dhe tani është i nevojshëm komplet ndërrimi i barit natyral. E për t’u bërë kjo nuk është aspak e lehtë, qoftë për shkak të kushteve atmosferike, e qoftë për shkak të orarit të ndeshjeve”, ka nënvizuar Ademi.

E kur jemi te stadiumi “Fadil Vokrri”, Ademi ka bërë të ditur se FFK është kujdesur që të gjejë edhe investitor, në mënyrë që këtë stadium ta ndërtojë në modelin e stadiumit “AirAlbania” në Tiranë.

“Federata është e gatshme të bashkëpunojë me Qeverinë për ta filluar projektin e rindërtimit të stadiumit ‘Fadil Vokrri’, që do të ishte njësoj si në Shqipëri dhe në disa vende tjera me koncesion apo në ndonjë formë tjetër të cilin e zgjedhin mekanizmat tonë qeveritar. Qëllimi është që ky stadium të jetë edhe më modern, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë komercial. Për këtë projekt sigurisht pres vullnetin dhe angazhimin e të gjitha palëve: Qeveri dhe Komunë, që bashkë me Federatën t’i mundësojnë shtetit tonë ta bëjë një stadium, i cili do të ishte konkurrues për të qenë mikpritës edhe i ndonjë eventi të madh të UEFA-s”, ka vijuar Ademi.

Ai po ashtu ka kërkuar nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal që sa më parë të intensifikohen punët në stadiumet e qyteteve, në mënyrë që të ketë më shumë alternativa për zhvillim të aktiviteteve të futbollit.

“FFK është e gatshme për të bashkëpunuar si me ministritë përkatëse ashtu edhe me komunat, në mënyrë që secili ta marrë nga një pjesë dhe stadiumet që janë në rindërtim e sipër sa më shpejt t’i bëjmë të qasshme për klubet tona. Përfundimi i punimeve në këto stadiume do të na mundësonte një futboll edhe më të mirë, por edhe një komoditet për popullatën tonë, e cila e ka dëshmuar në shumë raste se është shumë e lidhur me futbollin. Kjo çështje është urgjente dhe shpresoj se kërkesa jonë do të mirëkuptohet dhe do të miratohet si nga Qeveria, ashtu edhe nga komunat dhe gjithë të tjerët të përfshirë në këtë proces”, ka potencuar kreu i FFK-së.

Ademi po ashtu ka kërkuar nga komunat që t’ua vazhdojnë lejet e shfrytëzimit të stadiumeve klubeve dhe ato të jenë në afat maksimal.

“Po, tani jemi në një fazë ku disa klubeve u kalon periudha e dhënies në shfrytëzim të stadiumeve dhe FFK i bën lutje komunave që t’i vazhdojë ato kontrata, por që tani dhënia e shfrytëzimit të stadiumeve apo parcelave me destinacion të ndërtimit të stadiumit t’u jepet klubeve me afat maksimal, të lejuar me ligj, pra me afat 99 vjet ose minimumi 40 vjet. Në këtë formë do t’i mundësohej edhe FFK-së që të bëjë projekte edhe për investime në stadiume nëpër komuna bashkë me Qeverinë me memorandume të përbashkta. Por, nëse shkohet me praktika të mëparshme për shfrytëzim për 1,5 ose 10 vjet, atëherë me afate të tilla FFK nuk mund të përfitojë projekte nga UEFA e FIFA për stadiume”, ka përfunduar Ademi.

Gjatë këtij muaji në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, Kombëtarja e Kosovës do të jetë mikpritëse e Qipros, në ndeshjen e fundit të edicionit në Ligën e Kombeve, derisa në fillim të muajit tetor do të zhvillohen tri ndeshje të Kombëtareve U17 në kuadër të kualifikimeve për Evropian, si dhe më 13 tetor Ballkani do ta luajë kundër Sivasspor në UEFA Conference League.

FFK me kapacitetet e saj buxhetore tash e sa kohë është duke investuar në modernizimin e Kampit Nacional në Hajvali, i cili ka ndihmuar në masë të madhe që fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” të ketë sadopak frymëmarrje, pasi seancat stërvitore të kombëtareve në vazhdimësi janë mbajtur në fushat e këtij kampi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *