Ndeshja Prishtina – Drita e paraparë të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” të enjten në kuadër të javës së tretë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, tashmë është e sigurt se nuk do të zhvillohet.
Kjo pasi pikërisht në atë ditë Ballkani ndeshet me Shkupin në takimin e dytë në kuadër të fazës “Play Off” në Conferencë League.
Siç dihet i vetmi stadium që i plotëson kriteret për ndeshjet ndërkombëtare është “Fadil Vokrri” kështu që bardhekaltrit janë të detyruar të presin ose të zgjedhin një fushë jashtë Prishtine, gjë të cilën sigurt nuk e bëjnë.
Por përveç kësaj ndeshjeje edhe takimi tjetër i paraparë të luhet në mesjavë në xhiron e tretë ndërmjet Trepçë ’89 e Ballkanit, nuk do të luhet për shkak që Ballkani është në garat ndërkombëtare. Të kujtojmë që edhe ndeshja e javës së parë ajo ndërmjet Malishevës e Ballkanit është shtyrë për të njëjtat arsye, kështu që në tri xhirot e para do të kemi plot tri ndeshje që duhet ndryshuar orarin.