Cristiano Ronaldo është më i interesuar se kurrë më parë për t’u larguar nga Manchester United.
Ylli portugez nuk dëshiron të qëndrojë në një klub i cili nuk ia mundëson paraqitjen në Ligën e Kampionëve.
Por, 37 vjeçari po has në një pengesë të papritur.
Derisa më parë ishte ëndërr e çdo klubi evropian, portugezi ka ardhur në atë pikë që klubet nuk po e duan më, edhe pse po iu vetëofrohet.
Kohëve të fundit është spekuluar për disa klube, që lidheshin me një kalim të mundshëm të pesë herë fituesit të Topit të Artë.
Më saktësisht, thuhet se janë plot 8 klube të njohura evropiane që i kanë thënë “JO” përfaqësuesit portugez, i cili mungoi në fazën përgatitore të “Djajve të Kuq” në Azi dhe në Australi për shkaqe personale.
Thuhet se ish-futbollistin e Sporting Lisbonës e kanë refuzuar klubet si Atletico Madridi, Paris Saint-Germaini, Real Madridi, Bayern Munichu, Chelsea, Juventusi, Interi dhe Milani.
As klubi aktual, Manchester United nuk duket shumë i nxehtë për ta mbajtur “CR7”, i cili është “rebeluar” së fundmi me kërkesën për t’u larguar.
Menaxheri i tij, Jorge Mendes ndërkohë po mundohet ta sistemojë klientin e tij në një klub sa më të përshtatshëm dhe kushti është që ai klub të jetë duke marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, shkruan “Gazeta Express”.
Portugezi megjithatë shpreson ende në një transferim të mundshëm në Chelsea.
Me gjasë, ky do të jetë sezoni i fundit që Ronaldo do të luajë në futbollin evropian, ndërsa verën tjetër mund të transferohet në ligën amerikane, MLS.