Ismet Munishi mesazh rivalëve: Duam titullin kampion

Trajneri i FC Prishtinës, Ismet Munishi ka treguar se edicionin 2022/23 synon ta rikthejë titullin kampion në kryeqytet, derisa ka paralajmëruar edhe disa transferime.

Prishtina ka kaluar disa probleme të mëdha financiare këto kohët e fundit duke e zgjedhur edhe kryetarin e ri (Hakif Gashi), derisa së fundmi edhe i është zhbllokuar afati i transferimeve në FIFA.

Në një bisedë për gazetën Nacionale, ish trajneri i shumë klubeve elitare tha se janë skuadra më e mirë fizikisht në Kosovë dhe që është ndarë shumë i kënaqur me fazën parapërgatitore.

“Kemi bërë një fazë të jashtëzakonshme parapërgatitore, kemi pasur kushtet shumë të mirë dhe besoj që jemi skuadra më e përgatitur në Superligën e Kosovës. Nuk ka asnjë skuadër që është fizikisht më mirë tek na”.

Munishi paralajmëroi disa nënshkrime të reja në rast se ndonjë futbollistë i ri “shfaqet në skenë” në mënyrë që të shtojnë konkurrencën.

“Po, do të ketë edhe përforcime tjera. Jam i kënaqur me futbollistët që i kemi dhe nëse shfaqet ndonjë lojtar tjetër kualitativ, do të provojmë ta marrim edhe atë që ta rrisim konkurrencën në skuadër”.

Përpos kësaj, Munishi gjithashtu nënvizoi se duan ta fitojnë titullin kampion dhe që skuadrat që luajnë në Evropë i sheh si kundërshtarë për titull.

“Do të jetë shumë e vështirë, por synimi është titulli kampion. Këto skuadrat që kanë luajtur në Evropë, domethënë janë skuadra të mira, janë kundërshtarë të mira duke mos anashkaluar klubet e tjera se perime ka skuadra shumë cilësore sepse Superliga është rritur shumë vitet e fundit”.

Në fund, i pyetur për ndeshjen e parë hapëse ndaj Dukagjinit, Munishi nuk pranoi të flet duke deklaruar shkurtimisht se është ende shumë herët.

“Është ende shumë herët të flas për ndeshjen ndaj Dukagjinit, ndeshja është të shtunën prandaj ka kohë”, përfundoi ai për Nacionalen.

Prishtina këtë të shtunë do ta hapë edicionin e ri 2022/23 duke u përballur me skuadrën që drejtohet nga Armend Dallku.

Padyshim, Prishtina ka qenë skuadra më aktive në afatin kalimtar veror duke pasur shumë transferime, mirëpo edhe largime të shumta.

Që kur Munishi mori në krye “timonin” e klubit më të trofeshëm në Kosovë, ka bindur futbollistë me eksperiencë si: Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Ramiz Bytyqi, Marclei Cesar, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Korab Luma, Hasan Hyseni, Andi Salihu, Kreshnik Uka, Ardi Ajdini, Butrint Bulliqi dhe Genc Hamiti.

Mirëpo, ka pasur edhe largime të shumta pasi kanë ikur futbollistët si: Ahmet Haliti, Elgant Haxho, Samuel Mone, Gauthier Mankenda, Betim Halimi, Agim Zeka, Aleksander Ritevski, Josip Tomasevic, Sadam Sulley, Lorik Boshnjaku, Bleart Tolaj, Qendrim Zyba, Besnik Krasniqi, Leonit Abazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *