Pak ditë më parë, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, deklaroi se nuk do të nënshkruante më me lojtarë të kombësisë afrikane nëse ata nuk ishin të gatshëm të nënshkruanin në kontratë se heqin dorë nga angazhimi në Kupën e Kombeve të Afrikës, një kompeticion që luhet gjithmonë në mes të sezonit, duke lënë hendek në ekipet ku këta futbollistë aktivizohen.
Pas këtij qëndrimi të presidentit napolitan, ka reaguar ashpër Confederata Afrikane e Futbollit nëpërmjet një komunikate, ku kërkohet ndërhyrja e UEFA-s:
“CAF dënon komentet e papranueshme të presidentit të Napolit për lojtarët afrikanë. Duke deklaruar publikisht se lojtarët që nënshkruajnë për Napolin duhet të nënshkruajnë se heqin dorë nga pjesëmarrja në Kupën e Afrikës si kusht për nënshkrimin, komentet e De Laurentiis mund të bien ndesh me nenin 14 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s. Prandaj CAF i kërkon UEFA-s që të fillojë një hetim disiplinor kundër tij.
CAF është e përkushtuar ndaj rolit që luan futbolli në Afrikë, Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore, Azi dhe në mbarë botën në bashkimin e njerëzve të kulturave të ndryshme, grupeve gjuhësore, racave, etnive dhe prejardhjes fetare.
Ne nuk kemi asnjë dyshim se Napoli dhe UEFA janë po aq të përkushtuar sa CAF ndaj këtyre synimeve humanitare globale. Mos vallë duhet të mendojmë se presidenti i Napolit synon të përfshijë kushte të ngjashme kufizuese për lojtarët nga Amerika e Jugut, Azia dhe Konfederatat e tjera, duke i ndaluar të luajnë në garat e tyre kontinentale, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin dhe rritjen e futbollit në nivel global? Kupa e Afrikës është flamuri i kontinentit afrikan dhe një nga garat kryesore të futbollit botëror. Edicioni i tij i fundit në Kamerun u transmetua në mbi 160 vende dhe tërhoqi më shumë se 600 milionë shikues.”