Presidenti i Serie A, Lorenzo Casini, ka paralajmëruar se do të jetë e vështirë të fillojë sezoni më 13 gusht nëse vazhdon rekordi i temperaturave, pasi mund të vihet në pikëpyetje shëndeti i lojtarëve.
Kampionati në Itali zakonisht fillon në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit pikërisht për shkak të temperaturave të larta të verës.
Në sezonin e ardhshëm, kampionati është planifikuar të nisë më 13 gusht me një numër të madh ndeshjesh gjatë verës, për shkak të Kampionatin Botëror që zhvillohet në Katar në nëntor dhe dhjetor.
“Ne jemi të shqetësuar, sepse nëse vazhdojnë këto temperatura, do të jetë e vështirë të fillojmë sezonin më 13 gusht”, ka thënë Casini.
Temperaturat në Itali kanë qenë jashtëzakonisht të larta për një kohë të gjatë, duke çuar edhe në zjarre në pyje.
Një tren doli nga shinat në La Spezia, pasi binarët u shtrembëruan nga nxehtësia, ndërsa metroja në Milano eci me shpejtësi të reduktuar pasi u arritën temperatura të larta.