Kosova vazhdon t’i mbledh talentet, Drini Miftari futbollisti i radhës që i bashkohet Dardanëve

Një tjetër futbollist nga Gjermania ka pranuar ta përfaqësojë Kosovën. Është ky 18-vjeçari i FC Kaiserslautern, Drini Miftari.

Ai luan në rolin e qendërmbrojtësit, por mund të aktivizohet edhe si anësor. Drini aktualisht aktivizohet me ekipin U19 të klubit gjerman dhe e bartë shiritin e kapitenit, derisa ardhja e tij në kampin e Dardanëve është bërë edhe falë angazhimit të përfaqësuesit të FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli.

Drini gjatë ditës së sotme, së bashku me familjen e tij ka qëndruar në FFK, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi. Ai ka konfirmuar se ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën, teksa ka thënë se pret me padurim t’i bashkohet fillimisht Kombëtares 19, por se synimi i tij është që së shpejti të bëhet pjesë e Kombëtares A. “Jam krenar që kam zgjedhur të luaj për Kosovën dhe mezi pres ta veshë fanellën dardane. Kjo është një mundësi e mirë që t’i tregoj vlerat e mia në fanellën e vendlindjes së prindërve të mi”, ka thënë Drini Miftari, i cili me potencialin që zotëron vlerësohet si një garancë për mbrojtjen dardane në të ardhmen.

Ndërkaq, presidenti Ademi i ka dëshiruar mirëseardhje talentit të Kaiserslauternit, duke e inkurajuar që të vazhdoj të punoj me përkushtim dhe të arrijë majat e futbollit evropian, teksa ka thënë se dyert e Kombëtares së Kosovës do të jenë të hapura gjithmonë për të gjitha talentet kudo që ata luajnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *