E fundit, Barcelona arrin marrëveshje me Sevillan për Kounden

Ka pasur një kthesë të re sot sa i përket transferimit të Jules Kounde, ku raportohet se Barcelona tani ka arritur një marrëveshje me Sevillan për mbrojtësin francez.

Kjo është raportuar nga Gerard Romero, i cili sugjeron se të dy klubet tani kanë një marrëveshje dhe kalimi i Kounde në “Camp Nou” tani është vetëm çështje kohe.

Kjo vjen vetëm pak ditë pasi që u raportua se Chelsea me Sevillan kishin arritur një akord për Kounden. “Blutë” ishin favorit të padiskutueshëm në ndjekje, pasi i kishin ofruar lojtarit një pagë prej 12 milionë euro për sezon.

Por nuk është sekret që Kounde favorizon një lëvizje te Barcelona, ​​e cila ka nisur një ofertë për francezin, menjëherë pasi ka shfrytëzuar levën e dytë ekonomike, duke shitur një përqindje të konsiderueshme të drejtave televizive.

Sevilla fillimisht ishte në mëdyshje për të lejuar Kounde t’i bashkohet Barças, pasi Chelsea kishte paraqitur një ofertë shumë më të mirë. Megjithatë, me lojtarin i vendosur për një lëvizje në “Camp Nou”, Sevilla si duket nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të arrinte një marrëveshje me gjigantin katalunas.

Tani i takon Barcelonës të formulojë një marrëveshje me Kounde. Klubi nuk është në gjendje të përputhet me ofertën prej 12 milionë eurosh të Chelseat në sezon, por Gerard Romero sugjeron se marrëveshja është 99% e përfunduar dhe duke përjashtuar çdo surprizë të vonë, lojtari do t’i bashkohet Barçës ditëve në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *