Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani është shumë afër kualifikimit në rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Konferencës, anise i kanë mbetur edhe 90 minuta të tjera kundër ekipit nga San Marino, La Fioritas.
“Portokallezinjtë” kanë triumfuar 0:4 në udhëtim te La Fioritas në San Marino Stadium.
Serinë e golave e hapi Meriton Korenica me një gol të bukur në minutën e gjashtë.
Albion Rrahmani dyfishoi shifrat në minutën e 23-të, ndërsa golin e dytë e kompletoi në minutën e 50-të të takimit.
Golin e “nokautit” e realizoi i inkuadruari në pjesën e dytë, Albin Berisha 17 minuta pa përfunduar koha e rregullt e përballjes.
Ndeshja e kthimit luhet javën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e cila me gjasë do të luhet më shumë për “statistika”, ngase Ballkani me këtë rezultat është me “një këmbë” në rrethin e tretë.