Valmir Veliu në fund të sezonit pritet të largohet nga KF Llapi. Veliu këtë e ka konfirmuar për Insportin në një prononcim se ka pranuar oferta nga disa klube gjermane por edhe nga klube tjera evropiane.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina mbrëmë në emisonin “Dueli Sportiv” deklaroi se dy futbollistë nga klubi llapjan në fund të sezonit do të transferohen në Evropë.
Veliu për Insportin i konfirmoi ofertat por nuk zbuloi emrat e klubeve për shkak të negociatave. “Po jemi në kontakt me disa klube, ditët në vijim shohim si po shkojnë punët, ka edhe klube tjera që janë të interesuara, jo vetëm nga Gjermania.Unë jam i fokusuar në ushtrime, që të kem një formë të mirë, të punoj me klubin dhe ecim përpara”.
Mesfushori sulmuesi këtë sezon ka zhvilluar 19 ndeshje duke dhuruar katër asistime, ndërsa ende nuk ka arritur të shënojë gol.
Talenti llapjan këtë sezon debutoi edhe me Përfaqësuesen e Kosovës në miqësoren me Suedinë. Përzgjedhësi i “Dardanëve”, Bernard Challandes për atë ndeshje kishte grumbulluar futbollistët nga Superliga.
Veliu, 20 vjeçar, shquhet për shpejtësinë e tij duke qenë ndër futbollistët kryesor të skuadrës së Batatinës.
Insporti ka zhvilluar edhe një bisedë me trajnerin llapjan, Batatina i cili ka deklaruar se ka pranuar një ofertë konkrete nga një klub i Bundesliga II (rangu i dytë i futbollit gjerman). “Po, kemi pranuar ofertë nga një klub i Bundesliga II. Ditëve në vijim pritet të sqarohet sitauta edhe më shumë. Jemi duke biseduar për çdo detaj me menagjerin gjerman dhe ende nuk kemi biseduar për çështjen e shumës së transferimit, shpresoj të mos kemi ndonjë problem në këtë pikë”.
Llapi këtë sezon ka rigjeneruar skuadrën duke implentuar një politikë me futbollistë të rinj.
Klubi llapjan renditet në pozitën e gjashtë me 34 pikë nga 22 xhiro të zhvilluara.
Vlen të theksojmë se IPKO Superliga e Kosovës do të rikthehet më 7 qershor, pas pezullimit dy mujor për shkak të pandemisë “Covid19”.