Stadiumi “Fadil Vokrri” e vetmja shtëpi e klubeve kosovare për Evropë, për tri ditë do luhen dy ndeshje

Mungesa e infrastukturës dhe stadiumeve që përmbushin kriteret e UEFA’s për ndeshje evropiane është padyshim një nga problemet kryesore në futbollin kosovar.

Sivjet, ndryshe nga vitet tjera, katër skuadra kosovare do të marrin pjesë në garat evropiane, një në Champions League dhe tri në Conference League.

Megjithatë, katër skuadrat kosovare ndeshjet si vendsa do t’i luajnë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, kjo pasi asnjë stadium tjetër nuk i përmbush kërkesat për ndeshje të nivelit evropian.

Llapi, Gjilani, Drita e Ballkani të gjitha këto skuadra do luajnë në Prishtinë ballafaqimet e tyre në Evropë. E mira e kësaj është që UEFA ka bërë zgjidhje për orarin e ndeshjeve, por stadiumi në kryeqytet do të mbingarkohet – pasi aty do luhen dy ndeshje për tri ditë, gjë e cila e rëndon fushën.

Fillimisht në Prishtinë do të luajë skuadra e Ballkanit, gjithnjë sipas orarit të publikuar në mediat sociale. Kampionët e Kosovës do të luajnë ndeshjen e parë ndaj Zalgiris në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve me 5 korrik, pra ditën e martë.

Kurse me 7 korrik, të enjtën, dy ditë më vonë do të zhvillohet ballafaqimi SC Gjilani – Liepaja, poashtu në kuadër të Conference League. Skuadra e Llapit poashtu do të luajë ndeshjet e Evropës në “Fadil Vokrri” këtë vit, pasi stadiumi i tyre i rinovuar, “Zahir Pajaziti” ende nuk është licensuar për garat evropiane të seniorëve.

E njëjta gjë, pra zhvillimi i dy ndeshjeve brenda tri ditëve në Prishtinë do ndodhë edhe në javën e dytë të korrikut. FC Drita ndeshjen e kthimit ndaj Inter Turkut të Finlandës do ta luajë me 12 korrik në Prishtinë, pra në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Ndërkohë, vetëm dy ditë më vonë, në Prishtinë, KF Llapi do ta zhvillojë ballafaqimin kthyes me Buducnostin e Malit të Zi, pra me 14 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Nëse e llogarisim afatin kohor brenda katër ndeshjeve i bie që për një javë të luhen tri ballafaqime, e për 9 ditë katër të tilla, që janë shumë për një stadium…

Megjithatë, stafi organizativ i mirëmbajtjes së stadiumit “Fadil Vokrri” në të kaluarën ka treguar se di të bëjë mrekulli kur vie koha për ndeshje të nivelit evropian e vendor në këtë impiant.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *