Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka përkujtuar përvjetorin e 23-të të çlirimit të Kosovës nga pushtuesi serb.
Me rastin e kësaj dite, Agimi ka përkujtuar të rënët për liri dhe kontributdhënësit e saj në ditën e sotme ku Kombëtarja e Kosovës luan ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve për muajin qershor kundër Greqisë në udhëtim.
Ademi nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se sot është dita të nderojnë gjithë ata që kontribuuan në forma të ndryshme për lirinë e vendit.
Postimi i plotë:
Urime Dita e Çlirimit të Kosovës!
Sot, Kosova feston 23-vjetorin e çlirimit nga okupatori serb. Një ditë kjo e veçantë, në të cilën nderojmë të gjithë ata që kontribuuan në forma të ndryshme për lirinë e vendit tonë.
Rezistenca ndaj pushtuesit dhe lufta për liri ishte e gjatë e përplot sakrifica. Liria erdhi si fryt i atdhedashurisë, motivimit, trimërisë dhe sakrificës, por edhe mbështetje së aleatëve tanë.
Kundërshtari ynë ishte një agresor i fortë dhe lufta ishte e pabarabartë, por ne e fituam atë me vendosmëri, angazhim të gjithanshëm dhe luftë shpirtërore.
Sot, në këtë ditë të shënuar, Kombëtarja jonë luan ndeshjen shumë të rëndësishme kundër Greqisë.
Në këtë sfidë jemi të babarartë me rivalin, por për ta mposhtur duhet angazhim e përkushtim i përbashkët, disiplinë, profesionalizëm dhe luftë deri në atomin e fundit nga djemtë tanë dardanë.
E di që motivimi juaj djema është maksimal, prandaj sot e keni rastin dhe fatin që në këtë ditë të shënuar për kombin të arrini një tjetër fitore për krenarinë e shtetit tonë dhe të jeni heronjtë e ngritjes së Kosovës në vendin e kampionit.
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe të gjithë veprimtarëve të kombit!
Forca Dardanë.