Zgjidhen lojtari dhe formacioni më i mirë i vitit në Ligën Premier – dominojnë emrat nga Liverpooli dhe Man City

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA) në Angli ka zgjedhur gjatë mbrëmjes së djeshme (e enjte), ‘Lojtarin e Vitit’ dhe formacionin më të mirë në Ligën Premier.

Sezoni 2021/22 në Ligën Premier ishte i çmendur dhe u vendos vetëm në minutat e fundit, me Manchester Cityn që fitoi titullin me ‘foto-finish’ në luftën ndaj Liverpoolit.

Megjithatë, lojtarët e Reds ishin ata të cilët morën më shumë vlerësim nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë gjatë ndarjes së çmimeve vjetore.

Mohamed Salah u zgjodh lojtari më i mirë i vitit 2022, pasi egjiptiani fitoi më parë edhe ‘Këpucën e Artë’ së bashku me Heung min-Son me nga 23 gola të shënuar.

Lojtarët e Reds u vlerësuan gjithashtu edhe në formacionin më të mirë të vitit, pasi plot gjashtë prej tyre e parë veten tek zgjedhjet e PFA.

Portieri Alisson Becker, mbrojtësit Virgil van Dijk dhe Trent Alexander-Arnold, mesfushori Thiago Alcantara dhe sulmuesit Salah e Sadio Mane ishin pjesë e formacionin më të mirë të vitit.

Pas tyre vijnë lojtarët e Cityt, ku tre prej tyre ishin pjesë e formacionit më të mirë: Joao Cancelo, Bernardo Silva dhe Kevin de Bruyne.

Dy lojtarët tjerë që kompletojnë formacionin më të mirë të vitit janë Cristiano Ronaldo (Manchester United) dhe Antonio Rudiger (Chelsea), i cili tashmë ka nënshkruar si lojtar i lirë me Real Madridin.

Befasia më e madhe llogaritet mos përfshirja e sulmuesit të Tottenham Hotspur, Son, i cili fitoi ‘Këpucën e Artë’ me 23 gola gjatë sezonit, ku asnjëra nuk u shënua nga penalltia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *