Presidenti francez, Emmanual Macron i ka zbuluar detajet e bisedës private që e kishte me Kylian Mbappen para se ylli i Paris Saint-Germainit të hiqte dorë përfundimisht nga transferimi në Real Madrid.
Kampioni i botës me Francën lidhej me një kalim të mundshëm në “Santiago Bernabeu” pasi kjo ishte një ëndërr e tij e fëmijërisë.
Sidoqoftë, ai e shokoi botën e futbollit kur njoftoi për vazhdimin e kontratës për tri vjet të tjerë me klubin francez.
Edhe më herët ishte raportuar se Macron kishte luajtur rol të rëndësishëm për ta bindur 23 vjeçarin të qëndrojë në “Parkun e Princave”.
E këtë tash e konfirmon edhe kreu i shtetit, i cili për Mbappen ka thënë se qëndroi në Paris “për ta mbrojtur shtetin”.
“Po, është e vërtetë se e kam pasur një diskutim me Kylian Mbappen para se ai të vendoste për të ardhmen e tij. Unë e këshillova atë, në mënyrë krejtësisht joformale, që të qëndronte në Francë. Besoja se kjo është përgjegjësi e imja, si president, që ta mbroja vendin tim kur bëhet fjalë për një gjë joformale dhe miqësore”, ka thënë Macron në konferencë për shtyp.
“Unë nuk kam intervenuar kurrë në asnjë transferim. Si çdo qytetar tjetër, kur bëhet fjalë për gjëra sportive, gjithmonë dua ta shoh një lojë të mirë dhe ta përgëzoj ekipin, posaçërisht në rastin tim, ekipin Olympique de Marseille”, shtoi presidenti francez.
Mbappe është konsideruar si tradhtar nga tifozët e Real Madridit, të cilët vetëm e prisnin zyrtarizimin e transferimit të tij tek kampioni i ri spanjoll dhe evropian.
Por, Mbappen do ta shohim duke luajtur në Paris së bashku me Leo Messin, e eventualisht edhe Neymarin edhe sezonin e ardhshëm.