Kosova e zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes me Qipron

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së parë në Ligën e Kombeve, që të enjten në orën 18:00, sipas kohës sonë, do ta zhvillojë kundër Qipros, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C.

Dardanët, të cilët kanë udhëtuar drejt ishullit më të madh në Mesdhe paraditen e së mërkurës, derisa pasdite kanë kryer stërvitjen në “AEK Arena” në Larnaca.

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda nuk ka udhëtuar fare me ekipin në Qipro, për shkak të lëndimit. Ai është kthyer në klubin e tij për të vazhduar trajtimin e nevojshëm.

Ndërkohë, pjesa tjetër e futbollistëve janë të gatshëm për ndeshje dhe janë optimistë për nismë të mbarë të edicionit të ri në Ligën e Kombeve. Para stërvitjes në konferencë për media kanë folur përzgjedhësi Alain Giresse dhe mesfushori, Valon Berisha.

Giresse ka thënë se synimi i Kosovës është të vazhdojë me paraqitje të mira, sikur në dy ndeshjet e fundit miqësore të muajit mars, teksa si objektiv i ka vendosur pikët e plota nga ky udhëtim.

“Do të jetë e rëndësishme për ne të marrim fitore. Por, po ashtu është me rëndësi që kjo fitore të arrihet me lojë të mirë. Synimi jonë është ta nisim mbarë garën e Ligës së Kombeve. Forma e mirë është pikënisje për ciklin e ri. Të gjitha kombëtaret e këtij grupi jemi në nivelin e njëjtë. Për mua, ndeshjet e muajit mars kanë qenë të rëndësishme, pasi është dashur të rindërtojmë ekipin dhe t’ua përcjelli futbollistëve shpirtin dhe mentalitetin që unë dua ta kemi në fushë. Jemi në momentin e mirë dhe duam ta dëshmojmë këtë edhe në garën e Ligës së Kombeve”, ka theksuar Giresse. Ai ka thënë se e kanë analizuar lojën e Qipros dhe gjatë këtyre ditëve të grumbullimit është përpjekur ta ndërtojë lojë e ekipit të tij.

Ndërkaq, Valon Berisha ka thënë se ekipi është i bashkuar dhe synon fitoren në Larnaca.

“Shumica e skuadrës është e re në moshë. Dihet se është një moment shumë i rëndësishëm për ne. Kemi një trajner të ri, por edhe lojtarë të rinj. Kemi folur që nga dita e parë që të japim më të mirën, në mënyrë që në këto ndeshje të marrim rezultate të mira”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se ëndërr e çdo futbollisti të Kosovës është kualifikimi në një Evropian apo Botëror.

“Do të jetë një ndeshje vështirë. Jemi përgatitur mirë, por qëllimi është ta nisim mbarë këtë cikël të ri. Besoj se është momenti që ne të arrijmë diçka të madhe. E kam një ëndërr, siç e kanë edhe bashkëlojtarët e mi dhe do të mundohemi të arrijmë të kualifikohemi në Evropian apo Botëror. Me ardhjen e përzgjedhësit të ri, ka ardhur edhe një frymë e re. Ndeshja ndaj Qipros është shumë e rëndësishme të fitohet”, është shprehur tutje Berisha.

Dardanët pas ndeshjes në Qipro, do t’i luajnë dy ndeshje në shtëpi, kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut, derisa më pas udhëtojnë në Volos, për t’u përballur sërish me Greqinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *