Serbia e vazhdon avazin e vjetër: Nuk i lejon ekipet kosovare të volejbollit ta kalojnë kufirin

Serbia prapë i ka ndaluar ekipet sportive kosovare për ta kaluar kufirin.

Kësaj here u ndaluan stafet teknike të dy ekipeve kosovare të volejbollit, pasi ishin nisur drejt Rumanisë për Kampionatin Ballkanik “Beach Vollej U20”.

Kombëtarja e Kosovës do të ketë dy ekipe përfaqësuese në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë për grupmoshën U20 që do të zhvillohet në Rumani – dyshen Yllka Jashari/Melirona Avdullahu e drejtuar nga trajnerja Vildane Jashari, në konkurrencën e femrave, dhe Erion Bajrami/Albi Macula, e drejtuar nga Faton Mustafa, te meshkujt.

Ndërkaq rrugëtimi i dy ekipeve ka mbetur në gjysmë pasi që Serbia nuk i la ta kalonin kufirin.

“Ekipet nisën rrugëtimin për në Rumani natën e mbrëmshme, pasi iu urua fat dhe suksese nga krerët e Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK). Kontigjenti kosovar u detyrua të ndërronte itinearin e udhëtimit, pasi Serbia nuk lejoi ekipet dhe stafin teknik të kalonin kufirin, derisa “Dardanët” u detyruan të marrin rrugën nga Bullgaria për të arritur në destinacionin respektiv”, thuhet në njoftimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *