Shitet Milan, ja planet e pronarëve të rinj

Gerry Cardinale ka firmosur kontratën e blerjes së Milan. Zyrtarizimi tani është thjesht një formalitet, pasi klubi kuqezi kalon në pronësinë e konsorciumit RedBird që ka bërë një pagesë prej 1.3 miliardë eurosh drejt fondit Elliot që do të mbajë një kuotë minorance të aksioneve.

Pavarësisht kalimit të pronësisë, ajo mbetet në duart e amerikanëve duke qenë se Red Bird ashtu si Elliot ka selinë në Shtetet e Bashkuara. Pasi është kryer hedhja e firmave, do të duhet diçka më tepër kohë për të realizuar atë që quhet “closing”, pra kalimi i vërtetë dhe total i kuotave nga shitësi te blerësi, kohë që mund të zgjasë dhe disa muaj, gjatë të cilëve sido që të jetë Red Bird do të punojë aktivisht për të ardhmen e klubit.

Merkato është natyrisht temë aktuale, edhe pse prioritet për momentin është konfirmimi në bllok i drejtuesve që cuan Milanin drejt fititmit të titullit. Duke nisur nga Paolo Maldini që së fundmi kishte shprehur keqardhje për mungesën e një oferte për rinovimin, drejtori Ekzekutiv Gazidis do t’i vërë parë një kontratë të re ish kapitenit dhe Masarës, për të filluar më pas punën për përforcimin e skuadrës.

Nuk bëhet fjalë vetëm për blerje pasi një ndër temat më të rëndësishme për tu përballur është dhe rinovimi i kontratës së Leao. RedBird ka eksperiencë në botën e sportit dhe edhe pse buxheti mbetet ende për t’u mësuar, pritet një vazhdimësi e vizionit të Elliot, me investime të vazhdueshme, profile lojtarësh me perspektivë dhe një rritje graduale dhe konstante e cilësisë së organikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *