Demolohet porta e thyhen karrige në “Zahir Pajaziti” nga tifozët e Vushtrrisë

Tifozët e Vushtrrisë, “Forca”, e kanë demoluar portën që është afër tribunës ku janë vendosur në ndeshjen kundër Malishevës, e rëndësishme për mbetje apo ngjitje në Superligën e Kosovës në futboll.

Ata në shenjë proteste për penalltinë e dhënë nga gjyqtari kryesor Gramoz Shala në minutën e 77-të, kanë tërhequr rrjetën e portës, që ishte në pjesën e tribunës jugore.

Më pas, demoluan edhe një numër të konsiderueshëm të karrigeve të stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ndeshja është ndërprerë për momentin, dhe po pritet vendimi nëse ndeshja do të vazhdohet apo jo.

Karriget e thyera janë larguar nga fusha, derisa po punohet në rregullimin e rrjetës së portës.

Gjyqtari Shala në minutën e 77-të dha penallti pasi e rishikoi sistemin VAR. Ai pa një tërheqje të Edon Pasomës në Mërgim Pefqelin.

Ky vendim çoi në reagimin e tifozëve vushtrrias.

Njësia speciale ka hyrë në atë pjesë të tribunës dhe është duke i larguar nga stadiumi tifozët e Vushtrrisë.

Malisheva ka epërsinë 2:0.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *