Arbnor Aliu një tjetër talent i thotë “Po” Kosovës: I lumtur që do të luaj për vendlindjen e prindërve

Një tjetër talent i madh i futbollit që jeton dhe bën karrierë të suksesshme në Gjermani ka vendosur të luajë për Kosovën. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Arbnor Aliu, i cili aktualisht luan me ekipin e U19 të Schalke 04, njofton FFK.

Ai luan si qendërmbrojtës dhe është ndër shpresat e mëdha të klubit gjerman, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Talenti dhe përvoja e tij si lider janë të padiskutueshme, ngase që nga mosha e tij e hershme ishte pjesë e të gjitha ekipeve zinxhirë të Kombëtares së Gjermanisë, madje edhe në rolin e kapitenit.

Arbnori do të përfshihet fillimisht te Kombëtarja U21, por duke pasur parasysh potencialin dhe cilësitë që zotëron, atëherë pa dyshim se në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe në shërbim të Kombëtares A.

Ai është shprehur i lumtur që do të luajë për Kosovën dhe beson se do të japë më të mirën e tij.

“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Ndihem shumë i lumtur që do të jem pjesë e Dardanëve sepse kam punuar shumë për ta merituar këtë fanellë. Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka theksuar Aliu.

Ai në fund ka dhënë edhe një mesazh për tifozët Dardanët. “Pres me padurim të paraqitem në fanellën e Kosovës dhe t’i dëgjoj brohoritjet e tyre. U premtoj se do të jap maksimumin tim për të arritur sa më shumë suksese dhe për t’i bërë të gjithë krenarë”.

Ndërkaq, presidenti Agim Ademi është i lumtur që po rritet numri i futbollistëve të talentuar e cilësor që po i bashkohen ekipeve të Kombëtares së Kosovës.

“Rezultatet dhe rritja e kualitetit në të gjitha ekipet kombëtare, por edhe këmbëngulësia jonë për të rekrutuar të gjithë talentet kudo që ata luajnë, ka bërë që të rritet numri i tyre për ta përfaqësuar Kosovën. Ardhja e Arbnor Aliut është një lajm i mirë për të ardhmen e ekipit tonë kombëtar dhe një garancë se Kosova do të vazhdojë të ketë në radhët e saj futbollist të nivelit të lartë. Edhe një herë dua të falënderoj të gjithë bashkëatdhetarët tanë për kontributin e tyre në të gjitha periudhat e rrugëtimit të Kosovës, por edhe për faktin që fëmijët e tyre i rrisin në frymën e atdhedashurisë. Po ashtu, falënderoj edhe përfaqësuesin e FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli, i cili vazhdon ta kryejë me përkushtimin më të madh punën në afrimin e sa më shumë talenteve në ekipet zinxhirë të kombëtares. E Arbnorin e përgëzoj që bëri zgjedhje zemre. I dëshiroj mirëseardhje në radhët e Dardanëve dhe sa më shumë fat e suksese në vazhdim të karrierës”, ka theksuar presidenti Ademi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *