BKT Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshjet e xhiros së 29-të që janë në program për t’u zhvilluar.
Në fakt do të luhen dy ndeshje derbi, njëra në Suharekë dhe tjetra në Podujevë.
Dueli i parë do të zhvillohet në Suharekë, ku lideri aktual Ballkani është nikoqir i Prishtinës.
Suharekasit duan fitoren e katërt në kampionat këtë edicion ndaj Prishtinës, pasi në tri përballjet e para kanë arritur fitore me rezultat 0-1, 2-0 dhe 0-2.
Ndërkohë kryeqytetasit synojnë që ta përsërisin suksesin në Kupën e Kosovës, ku arritën ta eliminonin Ballkanin në çerekfinale.
Dueli mes Ballkanit dhe Prishtinës starton me fillim nga ora 13:30.
Ndeshje tejet interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë me fillim nga ora 14:00.
Dy finalistët e Kupës së Kosovës, Llapi dhe Drita do të takohen në ndeshjen e katërt këtë edicion në kampionat.
Llapi dhe Drita janë takuar tri herë deri më tani në këtë kampionat, ku bilanc më të mirë ka Drita me një fitore dhe dy takime tjera kanë përfunduar baras.
Gjithsesi dy skuadrat pritet të japin sot maksimumin në këtë sfidë pasi tri pikët janë shumë të rëndësishme si për vendasit ashtu edhe për mysafirët.