Agim Ademi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka rrëfyer njohjen e tij me legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin.
Ai ka treguar se njohjet e tij me legjendën e fushës së blertë kanë filluar qysh në zhveshtoret e Stadiumit të atëhershëm të qytetit, por që njohja më nga afër ndodhi më pas.
Agim Ademi nuk ka kursyer fjalët më të mira për Vokrrin, madje atë e ka quajtur jo vetëm mbret të futbollit por edhe mbret të tavolinës, sepse siç e përshkruan ai ishte natyra altruiste e Vokrrit që e bënte atë të ishte në qendër të vëmendjes.
“Fadil Vokrrin e kanë njohur të gjithë por për ne që jemi marrë me futboll, Fadil Vokrri ka qenë legjenda e Kosovës dhe unë kam qenë një prej 10 mijë futbollistëve që i ka pas Kosova atëherë, do me thënë kam luajtur në ligat lokale të Kosovës dhe realisht nuk kam pasur një kontratë profesionale të kalibrit të Fadil Vokrrit, por e kam njour sepse kam pas fatin që të ndajmë zhveshtoret në stadiumin e qytetit që ka qenë në Prishtinë dhe jemi njoftë edhe në ndeshje kontrolluese nganjëherë, ku shumicën e rasteve kemi qenë ekipi ynë që na kanë marrë kur u jemi dashur atyre. Por kam pas edhe marrëdhënie shoqërore më vonë, pra nuk mund të them që Fadil Vokrrin nga fillimi e kam pasur shok, shokun më të mirë, por kohën e fundit kemi qenë të pandashëm dhe edhe kur ka qenë jashtë më ka vizituar kudo që kam qenë, e kam vizituar edhe në shtëpinë e tij në Francë. Më pastaj kemi punuar bashkë kur kemi ardhur këtu me fillu me punu. Para se me fillu në Federatë të Futbollit, Fadil Vokrri, sa herë që ka ardhur në Kosovë, mund të them që jam prej njerëzve të parë që jam takuar me të, bile, bile kemi pritë në Hotelin Grand çdo herë, në terrasën e Hotelit Grand që ka qenë. 99 për qind të rasteve sa herë që ka ardhur drejtpërdrejt nga aeroporti ka ardhur në Grand dhe kemi pi nga një kafe”, është shprehur Ademi në Infokus.
Ndërsa i pyetur se cila janë kujtimet më të mira që i ruan me legjendën, ai ka thënë se me Fadil Vokrrin, çdo njeri ka pasur lidhje të veçantë, sepse më secilin njeri ai e ka pasur një lidhje të veçantë.
“Fadili ka qenë i veçantë sepse pothuajse më secilin njeri e ka pasur një lidhje të veçantë, të tillë e ka pas edhe me mua. Kam pas shumë – shumë kujtime me të, shumë raste sepse kemi qenë edhe në kohën kur kemi qenë në federatë bashkë dhe kemi qenë pothuajse të pandashëm. Fadili ka qenë i jashtëzakonshëm mos të flasim për në fushën e gjelbër, por edhe në tavolinë. Fadili qysh ka qenë lider në fushën e gjelbër, gjithmonë ka qenë edhe protagonisti kryesor edhe në tavolinë. Jo vetëm për famën e tij që e ka pas por për mirësinë e tij, për gjestet e tij. Unë quaj mbret edhe i tavolinës për të gjitha çështjet”, ka thënë Agim Ademi për njohjen e tij me legjendën e futbollit kosovar Fadil Vokrri.