Ndërkohë që në Madrid është ruajtur qetësia dhe supozohet se Kylian Mbappe do të vishet me të bardha nga sezoni i ardhshëm, informacionet e fundit nga Franca bëjnë të ditur se po ndodh kthesa e madhe; se sulmuesi do të rinovojë me Paris Saint-Germain.
Në këtë kuptim, përtej faktit të mundësisë për të bërë histori, duke qenë pjesë e PSG-së, që mëton të fitojë për herë të parë Ligën e Kampionëve, tre janë çelësat ku skuadra pariziene do të mbështetej për ta bindur Mbappe.
– 200 milionë euro për një kontratë 2-vjeçare
Plani i PSG-së parashikon t’i ofrojë Mbappe një kontratë të re, që do të skadonte në qershor 2024, me pagë prej 50 milionë euro neto për secilin nga dy sezonet. Përveç kësaj, një bonus besnikërie më shumë se 100 milionë. Padyshim, shifra marramendëse dhe mezi e refuzueshme, që nëse konfirmohet do ta mbulonte francezin me ar.
– Faktori “Zinedine Zidane”
Goditja ndaj Real Madridit në Champions League vetëm sa ka rritur mundësinë e
ndryshimit të trajnerit te PSG për sezonin 2022-2023. I dëshiruari për të zëvendësuar Mauricio Pochettino është Zinedine Zidane. Ardhja e francezit padyshim që do t’i pëlqente Mbappe, i cili dëshiron të punojë nën urdhrat e ishtrajnerit merengues. Al-Khelaifi dëshiron ta luajë edhe këtë kartë në favor të tij.
– Lojërat Olimpike të Parisit 2024
Informacionet e fundit tregojnë se vetë Emmanuel Macron, presidenti i Francës, do t’i kishte kërkuar personalisht Mbappé rinovimin me PSG. Dhe përtej faktit që do të përfshihej edhe sheiku nga Katari, kërkesa do të kishte si sfond faktin që Lojërat Olimpike 2024 do të zhvillohen në Paris.
Ka një dëshirë që Mbappé të jetë një nga imazhet dhe ikonat e eventit, duke mbërritur në të me fanellën e skuadrës pariziene dhe jo të Real Madridit. Nuk është ekzagjerim të thuhet se tashmë është çështje shteti e ardhmja e Kylian Mbappe.