Janë mbyllur dy përballjet e para në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve.
Dy skuadrat angleze, Liverpooli dhe Manchester City kanë shënuar fitore në ndeshjet e para.
“Të Kuqtë” triumfuan 1:3 në udhëtim te Benfica në Lisbon. Konate në minutën e 17-të, Mane në të 34-tën dhe Diaz tre minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes ishin realizatorët për Liverpoolin.
Për ekipin portugez topin në rrjetë e çoi Nunez në minutën e 49-të, por ishte i pamjaftueshëm për të evituar humbjen dhe njëkohësisht për të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.
Manchester City në anën tjetër fitoi kryendeshjen e mbrëmjes ndaj Atletico Madridit në “Etihad Stadium”.
Kevin de Bruyne i solli fitoren “Qytetarëve” në përballjen e parë me golin e minutës së 70-të.
Megjithatë, pavarësisht këtyre fitoreve të skuadrave angleze, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e dytë për t’u përcaktuar ekipet gjysmëfinaliste në Ligën e Kampionëve.