29 nga 32 kombëtare tashmë kanë siguruar biletën për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar në muajt nëntor dhe dhjetor të këtij viti. Kampioni në fuqi i Evropës, Italia ka mbetur jashtë, pasi u mposht në gjysmëfinale të play-offit nga Maqedonia e Veriut.
Vetëm edhe tri vende kanë mbetur, teksa janë të caktuara edhe kombëtaret që do të luftojnë për ato tri pozita. Uellsi do të përballet me fituesin e ndeshjes Skoci-Ukrainë, ndeshje kjo që u shty si pasojë e luftës. Peruja do të përballet me fituesin e ndeshjes mes Australisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe krejt në fund Kosta Rika do të përballet me Zelandën e Re.
Shorti do të tërhiqet nesër me fillim nga ora 18:00. 32 ekipet do të vendosen në katër vazo, si vijon:
Vazo1: Katar, Brazil, Belgjikë, Francë, Argjentinë, Angli, Spanjë, Portugali.
Vazo 2: Meksikë, Holandë, Danimarkë, Gjermani, Uruguai, Zvicër, SHBA, Kroaci.
Vazo 3: Senegali, Irani, Japonia, Maroku, Serbia, Polonia, Koreja e Jugut, Tunizia.
Vazo 4: Kamerun, Kanada, Ekuador, Arabi Saudite, Gana, Uells/Skoci/Ukrainë, Kosta Rika/Zelandë e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe/Australi/Peru.
Ky Botëror ka të njëjtin format si turnetë e fundit, me skuadra të barabarta në tetë grupe me nga katër.
Ekipet renditen në bazë të renditjes botërore të FIFA-s të publikuar më 31 mars. Katarit do t’i jepet pozita A1 nga vazo 1.
Ekipet nga i njëjti kontinent nuk do të jenë në grup të njëjtë, me përjashtim të ekipeve nga Evropa, ku maksimumi dy mund të jenë në një grup.