Kosova do të zhvillojë ndeshje miqësore me Zvicrën me 29 mars në Cyrih, në stadiumin e Letzigrund me fillim nga ora 18:00.
Kjo ndeshje do të jetë special për Xhakën, Shaqirin e Zeqirin që kanë prejardhje nga Kosova.
Madje, Granit Xhaka do të jetë kapiten i Zvicrës, kurse ndaj Kosovës do ta luajë ndeshjen e 100-të me fanellën e Zvicrës.
Ai për Blick deklaroi se nëse do të kishte ftuar të gjithë ata që donin të vitin për këtë ndeshje, do t’i duhej ta merrte me qira të gjithë stadiumin.
“Kjo bëhet shumë emocionuese. Jam tepër krenar që do të luaj ndeshjen e 100-të ndërkombëtare të Zvicrës. Dhe pastaj është kundërshtari i përsosur për përvjetorin tim! E gjithë familja ime jeton në Kosovë. Nëse do të kisha ftuar të gjithë ata që donin të vinin, do të më duhej të merrja me qira të gjithë stadiumin. Miqtë e mi më të ngushtë do të jenë me siguri atje”, tha Xhaka.
Xhaka synon ta thyejë rekordin e Heinz Hermann që ka 118 paraqitje për ekipin e Zvicrës.