Kombëtarja e Kosovës shënon sukses të madh, renditet para Serbisë dhe shumë shteteve tjera në Grand Prixin e Kroacisë
Kombëtarja e Kosovës në karate ka zënë vendin e katërt në mesin e 33 shteteve të botes në “Grand Prix Kroacia 2022”, që u mbajt nga 18-20 mars në Samobor të Kroacisë.
Karateistët nga Kosova fituan 30 medalje (prej tyre 7 të arta, 10 të argjendta dhe 13 të bronzta), ku pjesëmarrës ishin 90 garues në mesin e 1473 garuesve, në disiplinë kata dhe kumite.
E veçanta e kësaj gare nga Përfaqësuesja e Kosovës ishte pjesëmarrja edhe në garën paraolimpike (me nevoja të veçanta, i verbër), ku garuesi ynë Jusuf Kupa fitoi medaljen e artë.
Në këtë garë sportistët nga Kosova me paraqitje dhe renditjen përfundimtare lanë mbrapa shtete të mëdha me garues siç ishin Azerbajxhani, Franca, Sllovakia dhe Hungaria.
Një paraqitje shumë të mirë kosovarëve kishin edhe me ndarjen e drejtësisë, ku morën pjesë me katër gjyqtarë (kryetari Ardian Muhadri, Fidan Qorolli, anëtar i komisionit, Astrit Nrecaj dhe Arta Jakupi), ku u veçua kryetari i gjyqtarëve, Ardian Muhadri, nga federata kroate u caktua shef i arenës nr.1, duke menaxhuar dhe udhëhequr gjyqtarët tjerë.
Me këtë paraqitje u dëshmua se jemi në rrugë të mirë drejt sukseseve të mëdha ndërkombëtare. Më për se afërmi këtë garë e përcolli edhe kryetari i ri i Federatës së Karatesë së Kosovës, Avni Gashi.