Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se katër vitet e mandatit të tij kanë kaluar shumë shpejtë, por është fakt se gjatë kësaj periudhe janë bërë shumë punë në futbollin e Kosovës.
“Punën time në FFK e kam bazuar në katër shtylla dhe një prej shtyllave më të rëndësishme ka qenë Kombëtarja e Kosovës, që pa dyshim sukseset e saj janë një prej të arriturave më të mëdha. FFK është bërë një brend shumë i rëndësishëm i shtetit dhe pjesa më kreative e qytetarëve tanë“, ka thënë Ademi në emisionin “As” në RTK.
Ai thënë se në të ardhmen e afërt stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë më 22 mijë ulëse dhe kjo gjë do ta zbusë pak gjendjen, ndonëse kërkesat janë ende të mëdha për ta ndjekur ekipin kombëtar.
“Kombëtarja është pika më e ndritshme. Nuk e kemi shfrytëzuar, por e kemi vendosur aty ku e ka vendin. I kemi plotësuar të gjitha kushtet maksimale që mund t’i ketë një kombëtare e futbollit, jo vetëm Kombëtares A, por edhe ekipeve tjera grupmoshave”, ka shtuar Ademi.
Ai e ka vlerësuar instalimin e sistemit VAR si arritjen më atraktive dhe më të kushtueshme, e cila është bërë në kohë rekord.
“VAR-i te ne ka bërë bujë sepse askund nuk është arritur të realizohet për një kohë aq të shkurtër. Ne e kemi realizuar me përkushtimin më të madh. Ideja ka qenë e imja, por puna ka qenë e stafit në krye me Albert Bunjakin”, ka shtuar kreu i FFK-së.
Ai tutje ka thënë se megjithatë kjo nuk është e arritura më e madhe e këtij mandati.
“Arritja më e madhe e imja dhe e KE të FFK-së është masovizimi, që për çudi nuk e ka përmendur askush deri më tash. Në vitin 2018 i kemi pasur 8411 lojtarë derisa tani i kemi 12.668 lojtarë, që i bjen se kemi rritje prej 67 përqind. Ky masovizim është bërë sepse janë krijuar kushtet, është krijuar infrastruktura dhe ju ka mundësuar të gjithëve që kanë dëshirë të luajnë futboll”, ka nënvizuar Ademi.
Ai ka folur edhe për infrastrukturën, teksa ka thënë se për herë të parë ka arritur ta bëjë FFK-në me infrastrukturë të veten. “Pronë të FFK-së i konsideroj selinë e FFK-së, Kampin Nacional, Lidhjet rajonale, që jemi duke i bërë me nga një stadium dhe me zyre. Tri prej tyre kanë përfunduar, derisa katër tjera do të bëhen në vazhdim.
Me infrastrukturë kemi ecur mirë, por ende është prioritet i yni sepse ka punë për të bërë”, është shprehur Ademi.
Ai tutje ka thënë se synohet që në të ardhmen stadiumet të bëhen me reflektorë, në mënyrë që t’u jepet komoditet qytetarëve për t’i ndjekur ndeshjet e futbollit.
Ademi ka folur edhe për prurjet e reja në FFK, por edhe për largimin e Arianit Ahmetit dhe Eroll Salihut. “Ardhjet kanë qenë të nevojshme sepse i kemi shtuar sektorët dhe projektet. Kërkohet punë dhe kualitet. FFK është një brend dhe joshës për secilin dhe ne i kërkojmë profesionistët më të mirë të mundshëm. Arianiti ka dalë me dëshirën e vet, derisa tani shihet arsyeja e tij. Me Erollin janë 15 vjet punë e përbashkët dhe nuk mund të them asnjë fjalë. Ai e ka zgjedhur rrugën e tij, por unë e respektoj edhe punën e Erollit edhe personalitetin e tij. Është çështje e tij çfarë thotë, por unë s’kam fjalë të këqija për të“, ka thënë Ademi.
I pari i FFK-së ka folur edhe për Kuvendin e 6 prillit, ku pret ta fitojë mandatin e dytë, e që nga disa u vlerësua si nguti e Ademit. “Jo nuk po ngutem, nëse i bëj dëm po i bëj dëm vetes që po ja shkurtoj mandatin. KE e ka paraparë tani Kuvendin Zgjedhor dhe i kemi shpallur zgjedhjet me kohë. Është një komision i pavarur që do t’i certifikojë edhe kandidaturat. Asnjë shkelje e procedurave nuk është bërë. Nëse dikush ka pretendime se janë bërë shkelje janë organet ku mund të ankimohet. UEFA do të jetë prezente dhe kur ajo është prezente dhe e monitoron procesin atëherë gjithçka është në rregull. Asnjëherë nuk është thyer statuti i FFK-së, kjo është farzë që e thotë dikush, sepse UEFA e FIFA nuk i pranon proceset zgjedhore që thyhen. Nuk ka te UEFA e FIFA asgjë me hatër”, ka potencuar tutje Ademi.
Ai ka thënë se gëzon përkrahjen e madhe të delegatëve klubeve. “Nëse kjo shumicë që më përkrah e ka pa që unë kam punuar dhe e kanë prekur atë që është bërë kjo më gëzon. Derisa ta kem këtë përkrahje do të vazhdoj me vullnet të jem në krye të FFK-së. Karrigen duhet me meritu, jo me fitu për hatër të dikujt. Pra, nuk duhet ta ulim nivelin, por ta ngrisim nivelin. Ai që vjen pas meje në të ardhmen duhet të vijë me një vizion, me një program dhe që e ngrit futbollin. Ende jemi mbrapa Evropës dhe duhet të ecim me hapa të shpejtë, prandaj konsideroj se ende jam i nevojshëm t’i prijë federatës. Nuk jam që jam më i miri dhe që skam gabime, por atë që e bëj e bëj me sinqeritet. Ne gjithçka rreth strategjisë së futbollit e bëjmë në koordinim me UEFA e FIFA”, ka thënë Ademi. Ai ka folur edhe për shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me federatën dhe futbollin kosovar.