Kosova ka garuar në Kampionatin Botëror të Atletikës në Sallës, që po mbahet në kryeqytetin serb, Beograd.
Dardanët në këtë kampionat u përfaqësuan nga garuesja Gresa Bakraqi, e cila u përfaqësua me inicialet KOS në fanellën e saj, njësoj si të gjitha pjesëmarrëset tjera.
“Shkaku i Kosovës organizatori dhe Federata Ndërkombëtare e Atletikës, kishin vendosur që asnjë flamur i ndonjë shteti pjesëmarrës të mos shfaqet në stadium”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ndërsa, sipas KOK, regjia serbe e ka diskriminuar Kosovën në këtë pjesëmarrje, e cila nuk e shfaqi flamurin tek emri i garueses dardane, por vetëm shkurtesën KOS, e që sipas tyre, kjo dëshmon që politika serbe ende përzihet në sport.
“Në lidhje me këtë, KOK së bashku me Federatën Atletike të Kosovës janë ankuar menjëherë në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Bakraqi e cila garoi në 1500 metra, doli e e 17-ta nga 19 garuese, teksa shtoi se vazhdimisht organizatori është munduar që t’ia mbulojë fanellën ku shkruante Kosova.
“Vazhdimisht organizatori është munduar të ma mbulojë fanellën ku shkruante Kosova. Jam ndier e diskriminuar dhe asesi nuk kam pranuar të garojë, derisa të jem e barabartë me garueset tjera. Në fund, kanë lëshuar pe dhe kam garuar me shkurtesën KOS”, deklaroi Bakraqi për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Tutje, ajo tha se gazetarët kërkonin të merrnin intervistë nga ajo, por sigurimi e policia serbe nuk i lejonin.
“Madje, gazetarët serbë më quanin ‘heroina’”, ka thënë ajo, teksa shtoi se gjatë rrugës dhe qëndrimin në Beograd s’ka pasur ndonjë problem.
Atletika ishte përfaqësuar javë më parë edhe në Kampionatin Ballkanik, të mbajtur po ashtu në Beograd.