Futbollisti 29-vjeçar, Jonathan Klaus, është duke jetuar një ëndërr! 29-vjeçari i cili është pjesë e Lens, në elitën e futbollit francez, është thirrur për herë të parë nga trajneri Didier Deschamp në ekipin kombëtar të Francës.
Jo më larg se 5 sezone më parë, Klaus luante në ligat më të ulëta të futbollit francez dhe gjerman, ndërsa sot me plot emocione ka pranuar thirrjen në kombëtaren e “gjelave”.
I lindur në Francën lindore në Strasburg, Klaus iu bashkua akademisë së të rinjve të klubit të tij të lindjes për t’u larguar pas 10 vitesh, pasi kishte ëndërr që të bëhet profesionist, por që fillimisht dukej që po shkonte drejt shkatërrimit.
Pas tre vitesh me një ekip amator në Strasburg, ai u bashkua me ekipin gjerman të divizionit të gjashtë SV Linx, një hap që më vonë do t’i shërbente mirë pasi përmirësoi aftësitë e tij.
Pastaj ai luajti në dy klube të ndryshme amatore franceze përpara se të nënshkruante përfundimisht një kontratë të parë profesionale – në moshën 24 – me klubin e Ligue 2, Quevilly- Ruen.
Nga aty ku u dallua me tetë asistime u bashkua me Arminia Bielefeld në Bundesliga 2. Por në sezonin e tij të parë ai pësoi një dëmtim në një ndeshje miqësore ndaj Dinamo Brest, duke mos luajtur fare.
Klaus ishte me fat në sezonin 2019/20 ku fitoi titullin e Bundesligës 2 dhe shënoi pesë gola, duke shtuar tetë asistime.
Pas kontratës, ai u bashkua me Lens, ku në sezonin e parë zhvilloi një sezon fantastik me tre gola dhe gjashtë asistime në 33 paraqitje, ndërsa Lens u rikthye në Ligue 1. Pas një serie suksesi në fillim të sezonit me një gol dhe tre asistime në pesë ndeshjet e para të ligës, forma e Klaus u ul pasi ai shtoi vetëm një asistim në shtatë paraqitjet e tij të ardhshme. Futbollisti e kishte pranuar se spekulimet se do të merrte një thirrje nga Didier Deschamp e kishin shpërqendruar.