Reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, ishte zëvendësues te Norwich City që u mposht 3:1 në shtëpi nga Chelsea. Ndeshja e së enjtes mbrëma i takoi xhiros së 30-të të Premier Leagues.
Për Chelsean ishte ndeshja e parë pas sanksionimit të Roman Abramovichit dhe bllokimit të procesit të shitjes së klubit.
Që në minutën e tretë Chelsea kaloi në epërsi. Trevoh Chalobah ishte realizator. Mason Mount shënoi për 2:0 në minutën e 14-të, ndërsa Norwichi u kthye në lojë në minutën e 69-të kur nga penalltia realizoi Teemu Pukki.
Goditjen përfundimtare skuadrës së Rashicës ia dha Kai Havertz që realizoi për 3:1 në minutën e 90-të.
Rashica u aktivizua në fillim të pjesës së dytë, duke mos arritur të tregoj diçka serioze para portës së Chelseat, duke u vlerësuar kështu me notën 6.3 nga ‘SofaScore’.
Chelsea është i treti me 56 pikë nga 27 ndeshje. Norwichi po rrëshqet drejt kategorisë së dytë. I ka 17 pikë nga 28 ndeshje. Renditet i fundit.