Malisheva ia ka shkaktuar disfatën e parë pas gjashtë ndeshjeve me bilanc të qindpërqind Ballkanit në krye me Ilir Dajën.
Ballkani pësoi humbje 2:0 nga Malisheva në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Mërgim Pefqeli në minutën e 41-të dhe Arbër Pira tre minuta më vonë ishin autorët e golave të fitores për skuadrën e Arsim Thaqit.
Kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja e ka marrë përgjegjësinë e humbjes, ndërkohë që theksoi se për skuadrën e tij ishte mirë që disfata erdhi në këtë kohë.
“Besoj se nuk ishte një ditë e mirë për të gjithë, duke filluar nga vetja që e marrë përgjegjësinë për këtë humbje. Bëmë një rotacion për t’u freskuar ekipin, gjë që nuk rezultoi pozitivisht. Sidoqoftë, humbja do të vinte dhe më mirë që erdhi tani për të na ulur me këmbë në tokë pasi nuk ka ndeshje të lehta. Kemi bërë shumë gabime, sidomos në ndërtimin e aksionit nga mbrojtësit. Gjithsesi, duhet ta harrojmë këtë ndeshje dhe të rikthehemi sa më shpejtë të rezultatet pozitive që i patëm gjatë kësaj periudhe”, deklaroi Daja për ArtSport.