Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i shoqëruar nga Mirsad Çollaku anëtar i Komiteti Ekzekutiv, priti në takim kryesinë e Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës në krye me Enes Shoshollin.
Presidenti i FFK-së i falënderoi veteranët për kontributin e dhënë në futbollin kosovar në një periudhe të vështirë, e ku falë punës së tyre dhe të gjithë të tjerëve, edhe anëtarësimi në organizatat më të mëdha FIFA dhe UEFA ka qenë më i lehtë.
Ademi i njoftoi veteranët se tashmë KE i FFK-së ka shpallur zgjedhjet për president dhe se ai do të jetë kandidat edhe për një tjetër mandat, derisa kërkoi edhe mbështetjen e tyre.
I pari i FFK-së i njoftoi ata me të gjitha të arriturat e katër viteve të kaluara, derisa ua shpalosi disa nga pikat më të rëndësishme të programit të ri.
Enes Shosholli, kryetar i Ligës së Veteranëve të Kosovës, e falënderoi presidentin Ademi për pritjen dhe të gjitha informacionet që ndau me ta, e në veçanti për kontributin e dhënë në futbollin kosovar që nga koha kur ishte futbollist e deri në vitet e fundit tashmë si president i FFK-së. Ndër të tjera Shosholli tha se Ademi e ka sakrifikuar edhe kohën me familjen e tij vetëm që futbolli kosovar të gjejë rrugën e duhur të zhvillimit. Ndërsa pohoi se falë punës dhe veprave të Ademit, Kosova tanimë gëzon respekt të veçantë në FIFA dhe UEFA.
Në emër të Ligës së Veteranëve të Kosovës, Shosholli i siguroi presidentit Ademi mbështetje të pakontestueshme për katër vjeçarin e ardhshëm, derisa shtoi se përkrahjen do ta gëzojë gjithmonë derisa vazhdon dhe punon kaq shumë për të mirën e futbollit kosovar. Ai po ashtu theksoi se puna dhe veprat e Ademit e bëjnë të ndihet krenar që është pjesë e futbollit.
Për fund presidenti Ademi u propozoi që çdo javë nga 3 anëtarë të Ligës së Veteranëve t’i përcjellin ndeshjet e Superligës dhe të bëjnë përzgjedhjen e “Yllit të Javës”, ide të cilën veteranët e mirëpritën.