Gjenerata e artë e përkrahë fuqishëm presidentin Ademi për mandatin e ri

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka pritur në takim gjeneratën e artë të futbollistëve kosovarë, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë për futbollin sidomos në periudhën e ish-Jugosllavisë.

Ish-futbollistët të cilët kanë lënë gjurmë me punën dhe përkushtimin e tyre në fushën e gjelbër dhe jo vetëm, e falënderuan presidentin Ademi për siç thanë ata transformimin që ka bërë në futbollin kosovar, duke ndikuar në zhvillimin e shpejt të sportit më masiv në vend, me krijimin e kampeve me kushte tejet komode, e ku kombëtaret tona do të mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Ajet Shosholli e përgëzoi z.Ademi për punën e mirë dhe për respektin që ia bënë kësaj gjenerate. Ai shtoi se duke e pasur mundësinë të jenë afër futbollit, e shohin formën e duhur dhe të drejtë me të cilën po zhvillohet futbolli kosovar.

Ndërsa, kapiteni i tyre i parë Ramadan Cimili foli në superlativ për udhëheqjen e shtëpisë së futbollit kosovar në krye me presidentin Ademi, të cilin e falënderoi për respektin që u bënë duke u këshilluar me ta dhe duke ua mundësuar të jenë afër futbollit dhe të kenë përgjegjësi pavarësisht moshës së shtyrë.

Erdogan Celina në fjalimin e tij tha se është i lumtur që ka qenë pjesë e gjeneratës së artë, por që edhe këto ditë vazhdon të jetë pjesë e futbollit i cili po zhvillohet shpejt dhe drejt falë udhëheqjes së mirë nga presidenti Ademi.

Edmond Rugova e falënderoi presidentin Ademi për respektin që ka treguar për gjeneratën e artë ndër vite, duke thënë se është i vetmi që asnjëherë nuk i la të ndihen të neglizhuar.

Në anën tjetër Abdyl Bellopoja u shpreh i lumtur që Ademi është i gatshëm të vazhdojë edhe për një mandat tjetër në krye të FFK-së, duke e konsideruar si personin më adekuat për të drejtuar shtëpinë e futbollit.

Ndërsa Muharrem Sahiti dënoi ashpër shpifjet që disa persona po i bëjnë me qëllim të njollosjes së imazhit të Ademit, duke pohuar se të njëjtit flasin pavend dhe pa prova. Ai po ashtu tha se puna e pastër e presidentit Ademi vërtetohet edhe me marrëdhëniet që ai ka krijuar me drejtuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, Gianni Infantino dhe Aleksandër Çeferin.

Ata njëzëri i ofruan mbështetje z. Ademit në mandatin e ardhshëm dhe i uruan shumë suksese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *