Në vitin 2021, aktivitetet e dyshuara që lidhen me bastet dhe ndeshjet e trukuara kanë regjistruar shifrën rekord: 903 takime nën hetim, në 10 sporte të ndryshme dhe në 76 shtete të ndryshme të botës.
Është ky verdikti i dalë zyrtarisht dje nga monitorimi i lëvizjes së basteve nga “Sportradar”, sistemi universal i përndjekjes së manipulimeve sportive, i cili është shumë i alarmuar edhe në pritje të verdiktit për vitin 2022, duke qenë se thjesht sezoni që lamë pas etiketohet si më i manipuluari i 17 viteve të fundit, që kur “Sportradar Integrity Services” është specializuar në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave sportive.
Sipas shifrave, viti 2021 është mbyllur me një rritje prej 2.4 për qindësh kundrejt vitit të kaluar, në të cilin kishin përfunduar në lente 882 ndeshje të dyshimta, siç nënvizon edhe raporti i djeshëm i publikuar zyrtarisht nga faqja “agipronews”.
Shtimi i aktiviteteve të dyshimta ecën krah për krah edhe me rritjen e faturimeve globale të basteve sportive, një shifër e cila sipas “Sportradar” kap shifrën e çmendur të 1450 miliardë eurove të lëvizura brenda vitit.
Liga e Kampioneve është turneu që mbledh më shumë para të luajtura se kushdo tjetër (198 milionë euro mesatarisht për ndeshje), në vend të dytë qëndron Premier Liga angleze me 178 milionë euro për ndeshje, ndërsa një ndeshje e Serisë A italiane qarkullon mesatarisht 100 milionë euro.
Sipas raportit, nga 903 sfidat e dyshimta si të trukuara, 694 janë ndeshje futbolli, të cilat sipas një kalkulimi i kanë sjellë krimit të organizuar 165 milionë euro fitime.
Në të njëjtën kohë, nga futbolli vjen një sinjalizim për trukim çdo 201 ndeshje, e ndjekur nga basketbolli me një sinjalizim çdo 498, ndërsa për sportet e tjera një çdo 384.
Kampionatet më të synuara nga krimi i organizuar i basteve janë kategoritë e treta dhe sektorët e ndeshjeve të të rinjve, që po shtohen me shifra të frikshme, duke qenë se marzhi i trukimit në to është një në çdo 104-105 takime.
Kontinenti me numrin më të madh të ndeshjeve të manipuluara qëndron Europa (525), e ndjekur nga Azia me 161. E diela është dita e javës në të cilën verifikohen më shpesh ndeshje të dyshimta me 22.5 për qind të rasteve, e ndjekur nga e mërkura me 16.8 për qind dhe e shtuna me 15.6 për qind, shkurt ditët e javës në të cilat është përqendruar edhe numri më i madh i zhvillimit të takimeve/PanoramaSport/.