Si ka ndryshuar situata e Ousmane Dembele nga ndeshja e fundit kundër Athletic Bilbao?
Në janar, kur Barcelona u përball me ekipin bask në raundin e 16-të të Kupës së Mbretit, që u mbyll me rezultatin 3-2 për “luanët”, sulmuesi francez dukej shumë larg katalanasve, me një të ardhme plot me pikëpyetje.
Barça kishte vendosur ta largonte për shkak të refuzimit të lojtarit për të mos pranuar propozimin e rinovimit. Por situata e tij ndryshoi rrënjësisht kur filloi shkurti.
Francezi u la jashtë skuadrës në ndeshjen e Kupës ndaj baskëve, por situata e tij ka marrë një kthesë radikale dhe sot synon të luajë që nga minuta e parë.
Me merkaton e mbyllur, Ousmane vazhdoi te Barça deri në fund të sezonit sepse vendosi të refuzojë ofertat që i erdhën në ditët e fundit të janarit. Francezi kishte gjashtë muaj të mbetura nga kontrata e tij me Barçën dhe Xavi pati rol kyç në ndryshimin e situatës për lojtarin.
Drejtuesit e klubit ishin pro lënies së tij në tribuna, por trajneri besonte shumë në potencialin e Dembele dhe vendosi që ta kthente sërish në një emër të rëndësishëm për katalanasit.
Deri më tani ai ka luajtur kundër Ateltico Madrid, Espanyoli e Napolit, si dhe mori pjesë në formacionin startues kundër Valencias dhe ka treguar formë të mirë. Në kushte të tilla tashmë largimi i Dembele nga Barça nuk është më aq i sigurt saç shihej përpara se Xavi të merrte situatën nën kontroll në skuadrën e tij.
Megjithatë pozicioni i francezit te Barcelona do të shihet edhe mbrëmjen e sotme në ndeshjet e raundit të 26-të të La Ligës kundër Athletic Bilbaos, që do të nisë në orën 21:00.