Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka pritur në takim ish-gjyqtarin e mirënjohur të futbollit kosovar Ismajl Kasumin.
Përveç referimit, ai, ishte pjesë edhe e strukturave në formimin e FFK-së, për shumë vite referoi në të gjitha ligat e Kosovës, së fundmi ishte delegues i referëve të futsallit e po ashtu kontroll i referimit në ndeshjet kampionale.
Ai gjithashtu bëri punë të mirë edhe si analist për çështje të referimit në televizionet kosovare.
Presidenti Ademi me rastin e pensionimit të tij e dekoroi atë me mirënjohje për kontributin e dhënë për dekada në futbollin kosovar dhe jo vetëm.
Ademi dhe Kasumi gjatë takimi kujtuan momentet që futbolli i ka lidhur së bashku, duke filluar me kohërat kur ishin pjesë aktive në futbollin kosovar, po ashtu edhe periudhën e përbashkët në strukturat e FFK-së.
Andaj për shkak të kontributit të tij shumë dimensional në futboll e më së shumti në referim, presidenti i dhuroi edhe me një orë dore, duke i uruar shëndet dhe gjithë të mirat edhe pas pensionimit të tij.