Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të javës së 21-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme kundër Dukagjinit të Klinës në stadiumin e qytetit në Gjilan.
“Kuqebardhët” triumfuan 2:1 në një ndeshje ku të gjithë golat u realizuan nga pika e bardhë e penalltisë.
Gerhard Progni ishte i saktë dy herë nga 11-metërshi për Gjilanin, kurse për “Hithat” nga pika e bardhë nuk gaboi mesfushori, Mentor Zhdrella.
Vlen të përmendet fakti se Gjilani nga minuta e tretë shtesë e 45 minutave të para ishte me një lojtar më pak në fushë, pasi portieri, Enea Koliçi u përjashtua me të kuq pas prekjes së topit me dorë jashtë zonës.
Gjilani me këtë fitore ndodhet në pozitën e dytë me 42 pikë, aq sa ka edhe Ballkani lider. Dukagjini vazhdon të mbetet në kuotën e 18 pikëve në vendin e parafundit në tabelë.
Prishtina e ka regjistruar edhe ndeshjen e tretë radhazi pa fitore në kampionat, duke u ndalur edhe nga Drenica.
Kampionët në fuqi të Kosovës barazuan pa gola me Drenicën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
“Kuqezinjtë” realizuan një herë në pjesën e parë me Thaçin, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Me këtë barazim, Prishtina mbetet në pozitën e gjashtë me 25 pikë, ndërsa Drenica radhitet një vend më lart me tri pikë më shumë.