Kombëtarja e Kosovës në futboll sot mund të bëhet me trajner të ri. Dhe, me sa duket nuk do të jetë asnjë nga emrat e përmendur përgjatë muajve dhe javëve të fundit.
Mbrëmë nëpër media filloi të qarkullonte emri i trajnerit francez, Alain Giresse.
Francezi Giresse (69 vjeçar) thuhet se është në pozitën më të mirë për ta marrë drejtimin e Kosovës.
Në një bisedë për ATV, Agim Ademi ka thënë se gjatë ditës së sotme pritet që të vendoset për të, ku do të dihet a do ta marrë ai drejtimin e “Dardanëve” apo jo.
Giresse ka një karrierë të gjatë futbollistike ku ka luajtur për Bordeaux nga viti 1970 deri më 1986. Vitet e tij të fundit si futbollist në pozitën e mesfushorit ai i kalojë të Marseille ku luajti nga viti 1986 – 1988.
Ai ka pasur edhe 47 paraqitje për Francën në karrierën e tij.
Si trajner ai për disa vite ka menaxhuar skuadra si: Toulouse (1996-98 dhe 1999/2000), Paris Saint-Germain (1998) dhe FAR Rabat (2001/2003).
Nga viti 2004 ka filluar të jetë trajner i kombëtarëve ku ka drejtuar Gjeorgjinë (2004/2005), Gabonin (2006/2010), Malin (2010/2012 dhe 2015/2017), Senegalin (2013/2015) dhe Kombëtarja e fundit që Giresse ka menaxhuar është ajo e Tunizisë për sezonin 2018/19.
Që tri vite ai ka pauzuar nga puna e trajnerit. /GazetaExpress/