Rilindja e Muriqit në ishull: Për tri lojë në La Liga arrin sa për 1 vit e gjysmë me Lazion

U ble nga Lazio me shumë bujë. Në ekipin e Fenerbahces, Vedat Muriqi kishte “shpërthyer” duke fituar zemrat e të gjithë tifozëve. Por, në kryeqytetin italian e kishte një konkurrent të fortë, Ciro Immobilen.

Immobile ishte një nga golashënuesit më të mirë në Serie A dhe sulmuesi kryesor i ekipit kombëtar të Italisë, andaj, “shpërthimi” i sulmuesit kosovar nuk mundi të ndodhte.

Muriqi kaloi një vit e gjysmë te Lazio, por pa arritur asnjëherë të tregonte potencialin e vërtetë që e kishte.

Ndryshimi i ekipit ishte i domosdoshëm për yllin kosovar, i cili në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit kompletoi huazimin në La Liga, te Mallorca.

Se Muriqi do të ishte një futbollist i rëndësishëm për skuadrën spanjolle e tregoi edhe mënyra e prezantimit në Tëitter. Përmes një videoje speciale, Mallorca ua prezantoi yllin e ri të skuadrës tifozëve të saj.

Ndeshja e parë e Vedat Muriqit me Mallorcan ishte në Copa del Rey. Përkundër eliminimit, ai pati një paraqitje të mirë, duke u vlerësuar me notën më të lartë dhe duke e thyer një rekord, më së shumti duele ajrore këtë edicon.

Më pas, radha erdhi për debutimin në elitën e futbollit spanjoll, La Liga.

Qysh në ndeshjen e parë, Vedat Muriqi arriti të shënonte gol, nga penalltia për t’i dhënë fitoren skuadrës së tij përballë Cadizit.

Në ndeshjen e radhës, Vedat Muriqi kontribuoi me një asist, kurse ishte vendimtar edhe në golin e fitores 3:2 ndaj Athletic Bilbaos. Ai në atë ndeshje u vlerësua me notën më të lartë.

Goli i dytë i tij me Mallorcan erdhi sonte, ku shënoi bukur me kokë, ndonëse nuk mjaftoi pasi u mposhtën nga Betisi.

Kështu, në tri ndeshjet e para në La Liga, Vedat Muriqi ka arritur të shënojë dy gola dhe të bëjë një asist.

Gjatë një viti e gjysmë sa kishte kaluar te Lazio, sulmuesi kosovar kishte shënuar dy gola po ashtu, por njëri kishte ardhur në një ndeshje të Kupës së Italisë.

Se huazimi i tij te Mallorca ishte i qëlluar, njëjtë sot mendoi edhe La Liga që e përgëzoi Mallorcan për transferimin e Muriqit, pas paraqitjeve mbresëlënëse deri më tash.

Vedat Muriqi është i huazuar te Mallorca deri në fund të këtij edicioni, kurse skuadra spanjolla ka mundësinë e blerjes së kartonit të tij.

Vet Muriqi deklaroi ditë më parë se do të donte t’i kalonte shumë vite në ishullin spanjoll.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *