Milot Rashica thotë se kishte shumë gjëra pozitive për të nxjerrë nga ndeshja e Norwich City në Anfield, pavarësisht se skuadra u mposht me përmbysje 3-1.
Reprezentuesi kosovar shënoi golin e tij të parë për klubin për t’i kaluar “kanarinat” në epërsi, por më pas Liverpool u kundërpërgjigj me tre gola në 15 minuta nga Sadio Mané, Mohamed Salah dhe Luis Díaz për të marrë pikët e plota.
“Unë mendoj se ne po përmirësohemi çdo javë dhe ju mund të shihni ndryshimin nga java e kaluar (në shtëpi ndaj Manchester Cityt) pasi kishim shumë më shumë shanse sot. Kemi luajtur mirë me topin dhe jemi mbrojtur bashkë si ekip. Ishin vetëm ato pesë apo 10 minuta ku, mendoj, humbëm përqendrimin, por gjithsesi çdo ndeshje kemi disa gjëra pozitive për të marrë”, tha Rashica.
Norwich shkoi në pushimin e pjesës së parë me rezultatin 0-0, por padyshim që pati shanset më të mira për të kaluar në epërsi me Rashicën që kishte një gol të anuluar për pozicion jashtë loje dhe Teemu Pukki humbi një tjetër mundësi të mirë.
“Mendoj se filluam mirë si ekip. Ne patëm disa raste në pjesën e parë dhe mendoj se duhet të kishim shënuar një ose dy gola. Ne u mbrojtëm së bashku si ekip dhe dhamë gjithçka. E mbajtëm portën e paprekur në pjesën e parë dhe e nisëm shumë mirë në pjesën e dytë, por ka ndodhur jo pak herë këtë sezon që i kemi dhënë kundërshtarëve pesë apo 10 minuta, ku ata vetëm na sulmojnë dhe mendoj se kështu ndodhi në ndeshjen e sotme”, deklaroi sulmuesi kosovar.
Duke folur për rikthimin që Liverpool e bëri, Rashica shtoi: “Ne e dimë kundër kujt po luajmë. Ne e dimë se sa e vështirë do të ishte, por ne ende, mendoj, duhet të jemi më të përqendruar në mbrojtje të gjithë së bashku si ekip. Filluam shumë mirë dhe më pas pësuam tre gola në një kohë të shkurtër. Thjesht mendoj se duhet të përpiqemi dhe të jemi të përqendruar për aq kohë sa të mundemi”, nënvizoi ai.
Goli i parë i Milotit për klubin ishte një goditje që u devijua nga Joël Matip pas punës së mirë të Josh Sargent.
Për golin e tij ai tha: “Jam shumë i lumtur. por do të isha më i lumtur nëse do të kishim marrë diçka nga loja sepse ishte vërtet e mundur. Ne vetëm duhet të qëndrojmë së bashku dhe të punojmë të gjithë së bashku, sepse na presin disa ndeshje shumë të rëndësishme”, përfundoi ai.