Hakan Calhanoglu pret një lojë intensive ndaj Liverpoolit dhe mendon se ish-bashkëlojtarët e tij të Milanit do të mbështesin nesër ekipin anglez.
Reprezentuesi turk pritet të startojë nesër për Interin kundër skuadrës së Jurgen Klopp.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e Interit në fazën e 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve në dhjetë vitet e fundit dhe Calhanoglu, një ish-mesfushor i Milanit, mezi pret të përballet me skuadrën e Jurgen Klopp.
“Ne luajtëm mirë në të dyja ndeshjet kundër Real Madridit, por krijuam shumë raste pa shënuar”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Ne gjithmonë krijojmë shumë, por nesër do të kemi vetëm dy ose tre mundësi, ndaj duhet t’i shfrytëzojmë sa më shumë. Pres një ndeshje intensive. Liverpooli ka mesfushorë dinamikë, por ne duhet të shkojmë në fushë me personalitet. E kam pritur kaq gjatë këtë lojë, dua të shoh sa të fortë janë ata”, u shpreh mesfushori turk.
Calhanoglu po kalon sezonin e tij më të mirë në Itali për gola dhe asistime. Cili është sekreti i tij?
“Mendoj se është mentaliteti im. Interi ka të njëjtën gjë. Ata gjithmonë duan të fitojnë dhe fituan Scudetton sezonin e kaluar. Këtu më kanë ndihmuar të gjithë, duke filluar nga trajneri. Unë luaj në një rol të ri që më pëlqen më shumë, luaj më shumë me topin. Jam përmirësuar falë trajnerit dhe stafit të tij, ata gjithmonë na ndihmojnë dhe unë bëj atë që kam për të bërë në fushë”, deklaroi Calhanoglu
A mendon ai se ish-shokët e tij të skuadrës në Milan do të mbështesin Interin gjithashtu duke konsideruar garën për titullin?
“Kam shumë miq, por nuk mendoj se do të na mbështesin. Nuk më intereson gjithsesi, shikoj vetëm veten time, duhet ta përgatisim mirë ndeshjen. Kjo është e vetmja gjë që më intereson”, përfundoi ai.