Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në një intervistë për RTV Dukagjinin ka zbuluar se janë në javën e fundit kur do të përcaktojnë se kush do të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Kosovës.
Që prej shkarkimit të Bernard Challandesit në muajin tetor, Dardanët kishin filluar bisedimet me disa trajnerë, derisa në krye të Dardanëve përkohësisht ishte vendosur Primoz Gliha.
Në lidhje me ardhjen e trajnerit të ri, Ademi ka deklaruar se ata janë në finalizim të marrëveshjes dhe brenda pak ditësh do të mësohet edhe emri.
“Është java e fundit, besoj se do ta përfundojmë këtë çështjen e trajnerit”, ka deklaruar fillimisht Ademi për RTV Dukagjinin.
“E kemi bë një komision bashkë me Komitetin Ekzekutiv që i kemi ndarë pesë emrat e fundit të cilët i kemi konsideruar më të mirët për ne. Janë gjermanë, zviceranë, francezë, polakë, belg dhe holandezë”.
Në fund, Ademi tha se ndihet i nderuar që kaq shumë emra kanë garuar për të marrë drejtimin e Dardanëve, teksa zbuloi se në mesin e tyre nuk kishe aplikuar asnjë shqiptar.