Batatina: Askush s’do marrë pikë në “Zahir Pajaziti”, diferenca me Dritën do të shkrihet si bora

Llapi ka shënuar fitore në “Zahir Pajazitin” e rinovuar në ndeshjen e parë në stinorin pranveror në Superligën e Kosovës.

“Bardhekaltrit” nga Podujeva fituan 2:0 kundër Ulpianës.

Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina e ka komentuar ndeshjen pas saj duke thënë se pjesa e parë ishte festë për ta, ndërsa e dyta ishte për futboll.

“Në pjesën e parë ishim t’u festu, në pjesën e dytë kemi lujtë futboll, ne pjesën e parë ka qenë emocionale, pasi u rikthyem në stadium”, tha fillimisht Batatina për Art Sport.

Tekniku llapjan ndër tjerash ka thënë se në stadiumin e saporinovuar “Zahir Pajaziti” nuk do të marrë pikë asnjë skuadër, derisa i dërgoi një mesazh të qartë Dritës lidere.

“Në pjesën e dytë kërkova të ndryshojmë taktikën dhe erdhëm deri tek golat. Kemi mundur të realizojmë ende gola, sot kemi treguar që do të jemi një Llap i pamposhtur në Zahir Pajaziti, këtu pikë nuk do të marrë askush, për këtë ju garantoj. Do të luftojmë deri në fund për titull të kampionit, unë besoj shumë tek këta djemë. Jemi pesë pikë largë kreut dhe kjo diferencë do të shkrihet sikur bora e pranverës, tani kemi infrastukturë, kemi bërë organizim për këtë. Me këtë stadium, ne do ta themi fjalën kryesore në këtë kampionat”, përfundoi Batatina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *