Presidenti i FFK-së, Agim Ademi tash e disa ditë po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, si i ftuar special i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të ndjekur nga afër ndeshjet e Kupës së Botës për klube.
Gjatë mbrëmjes së sotme, kur po zhvillohet ndeshja finale e këtii eventi ndërmjet Chelseat dhe Palmeirasit, i pari i futbollit kosovar është takuar me njërin prej futbollistëve më të spikatur holandez, Clarence Seedorf.
Takimin me ish-futbollistin e Ajaxit, Sampdorisë, Real Madridit, Interit e Milanit, Ademi e ka bërë të ditur në profilin e tij në rrjetet sociale.
“Gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe për finalen e Kupës së Botës për klube, Chelsea vs Palmeiras, takova edhe legjendën e futbollit holandez, Clarence Seedorf.
Kënaqësi të bashkëbisedosh me të për karrierën e bujshme dhe për vizionin e tij për futbollin në përgjithësi”, ka shkruar Ademi.
Seedorf në vitin 2019 e ka drejtuar kombëtaren e Kamerunit, derisa ka qenë edhe trajner i Milanit dhe Deportivo La Corunës.