Vedat Muriqi debutoi me gol në La Liga në fitoren me përmbysje të Mallorcas ndaj Cadizit më 5 janar.
Pak ditë më herët, ai e kishte bërë debutimin në Copa Del Rey, ku edhe pse ishte eliminuar, ishte vlerësuar me notën më të lartë.
Në ndeshjen ndaj Cadizit, u akorduan dy penallti për Mallorcan. Të parën e ekzekutoi Salva Sevilla, kurse të dytën ai ia la Muriqit, i cili ishte shumë afër golit minuta më herët.
Sulmuesi kosovar e ka treguar se si ndodhi që Sevilla ia la penalltinë vendimtare atij.
“Sulmuesit duhet të shënojnë gola. Në penalltinë e dytë nuk thashë asgjë dhe Salva erdhi dhe më dha topin. Ai e kuptoi se duhej të shënoja. Salva është njeri i mirë dhe unë i jam shumë mirënjohës që më dha besimin”, deklaroi Muriqi.
Ndeshja e radhës e Mallorcas është të hënën në shtëpi ndaj Athletic Bilbaos.