Ekziston vetëm një futbollist i pazëvendësueshëm në formacionin e Hellas Veronës që drejtohet nga Ivan Juric.
Ai është Amir Rrahmani, i cili ka luajtur në të gjitha ndeshjet në kampionat (25), duke shmangur vetëm 21 minuta, ndërkohë që Marash Kumbulla ka luajtur në 18 ndeshje gjatë këtij sezoni. Mediat italiane kanë bërë një krahasim shumë interesant duke u bazuar në statistikat e sajtit të njohur “Why Scout”. Rrahmani e ka vendosur të ardhmen e tij, që do të jetë te Napoli, ndërkohë që Kumbulla është ende në dilemë se ku do të jetë aventura e tij e radhës. Po le t’i shohim të dhënat e tyre krahasuese.
Mosha e re shpjegon shumë gjëra – Statistikat fillimisht japin fotografinë e një lojtari shumë agresivë në nivelin mbrojtës, kundër një tjetri të aftë për të marrë më shumë rreziqe, por më i vëmendshëm. Diferenca e viteve mes dy mbrojtësve shqiptarë, është 6. Kumbulla e kalon futbollistin e Kosovës për veprime të sakta në mbrojtje (15.56 dhe 7.5 mesatarisht për çdo ndeshje kundër 14.6 dhe 7.24 të kosovarit), ndërkohë që shkodrani është më i mirë edhe në duele të fituara (11 dhe 2.94 kundër 9.28 dhe 1.92). Statistikat janë ende të përafërta, teksa Amiri e “ngushëllon” veten duke humbur më pak topa në gjysmëfushën e tij (2.96 mesatarisht për ndeshje, dhe vetëm 0.4 prej tyre ka shkuar në portë), duke fituar më shumë duele ajrore (3.48 kundrejt 2.89) dhe duke bërë më shumë ndërhyrje (5.12 kundrejt 4.44).
Rrahmani mbështet më shumë në manovrën sulmuese – Kapiteni i Kosovës është më protagonist në fazën sulmuese, duke fituar thuajse në çdo statistikë sa i përket pasimeve: Bën më shumë, më mirë, dhe është më konstant dhe i rrezikshëm në aksionet sulmuese. Përveç karakteristikave teknike dhe personale, kjo vjen edhe në saj të lojës së Juric, i cili i fillon aksionet nga mbrojtja, aje ku ish-mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit është më i gatshëm për të ndërtuar lojën e ekipit të tij.