3 maji i vitit 2016 është datë e shënuar për sportin e Kosovës. Katër vjet më parë ëndrra jonë e madhe u bë realitet pasi Kosova përfundimisht u bë anëtarja e 55-të e UEFA-s në Kongresin e Budapestit të Hungarisë.
Anëtarësimi në familjen evropiane të futbollit e kurorëzoi sakrificën e shumë gjeneratave që e mbajtën gjallë futbollin dhe punën e guximshme e të palodhshme të drejtuesve të Federatës, donatorëve, klubeve, futbollistëve e punëtorëve sportivë.
Në lidhje me këtë datë historike për futbollin e Kosovës ka folur edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka falënderuar të gjithë kontribuesit në futbollin kosovar.
“Dua ta falënderojë Agim Bytyqin, kryetarin e parë të FFK-së dhe kryetarët tjerë të Federatës si dhe klubet për punën e tyre, të cilat e mbajtën zhvillimin e futbollit edhe kur deshti ta këpusë regjimi serb”, tha Agim Ademi në Klan Kosova.
“Gjithashtu dua t’i falënderoj edhe njerëzit që aso kohe na lëshuan livadhet e tyre për futboll. Secili e ka nga një pjesë të meritës për anëtarësimin e Kosovës në UEFA”, tregon më tej ai.
“Jam i lumtur që kam qenë protagonist si dhe që kam qenë afër legjendës Fadil Vokrri. Kjo ishte ngjarja më e madhe për futbollin kosovar”, shtoi i pari i futbollit kosovar.