Granada e zyrtarizoi Myrto Uzunin në skuadrën e saj në orën 23:00, vetëm një orë përpara rënies së gongut. “Sulmuesi me origjinë shqiptare firmosi deri në qershorin e vitit 2025.
Futbollisti i ri bardhekuq ka eksperiencë në nivelin më të lartë të futbollit europian në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës dhe është një lojtar i Kombëtares shqiptare.
Uzuni shkëlqeu me Ferencvaroshin ku shënoi 36 gola dhe dha 14 asiste në 67 ndeshje. Ndërsa klubi ku po shkon, Granada, renditet në vend të 14-të në La Liga këtë sezon. Pas 22 javësh ata kanë grumbulluar 24 pikë dhe duhet të vazhdojnë ende të punojnë për të siguruar mbijetesën, duke qenë se janë vetëm +6 pikë nga Cadizi i vendit të 18-të.
Karriera e tij në La Liga mund të nisë si në ëndrrat më të bukura, në “Santiago Bernabeu” kundër Realit. Madrilenët do të presin Granadën në 6 shkurt, ora 21:00.