“Anijes” i duhet një “kapiten” i ri – për ta drejtuar në “detin e rrëmbyer”. Challandes “iku”, pasardhësi i tij nuk është gjetur ende.
Felix Magath është emri që është lakuar më së shumti kohëve të fundit për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës.
Por, marrëveshje “me të nuk ka”, sipas kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Ademi, në një pronocim për Shqip.com, tregoi se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje me ndonjë trajner – për ta drejtuar Kosovën.
“Nuk ka marrëveshje me asnjë trajner deri më tani. Jemi në bisedime edhe me Magath, por nuk është aspak e vërtetë që kemi arritur marrëveshje”, tha Ademi.
Ai po ashtu shtoi se “jemi në bisedime me një listë të ngushtë prej pesë trajnerësh. Në këtë listë është edhe Felix. Nuk mund të jap emra konkretë, pa pasur marrëveshje. Por, dua ta jem i qartë nuk kemi marrëveshje me askënd deri më tani”.
Përveq, Felix nuk dihet se kush janë katër trajnerët tjerë që e synojnë stolin e selektorit, kurse i mjegullt mbetet fakti se sa kanë avancuar bisedimet me ta.
A do ishte Felix i duhuri? Çka duhet të ketë parasysh trajneri i ri? – Flasin njohësit e futbollit
Në lidhje me përzgjedhësin e Përfaqësueses, kanë folur edhe njohësit e futbollit, Faruk Statovci dhe Taulan Dajaku.
Statovci potencoi se një ardhje e mundshme e Magath do ishte lajm i mirë për Dardanët.
“Nëse vjen është e mirë për Përfaqsëuesen, sepse është një trajner me bagazh të madh. Ai ka përvojë në klube të ndryshme dhe do të ishte një zgjidhje e mirë. Është një emër i dëshmuar në botën e futbollit dhe njihet për shkak të disiplinës së madhe që ka”, tha fillimisht ai.
I të njëjtit mendim është edhe Dajaku, i cili nuk i vë në dyshim cilësitë e trajnerit gjerman, por ka dy mëdyshje tjera.
“Sigurisht që asnjë nga ne nuk dyshon në kapacitet menaxhuese që ka Felix, kur ka menaxhuar skuadra në futbolli gjerman. Por, dy mëdyshjet e para janë: A ka Magath, ambicie pune pas një pauze prej pesë viteve dhe a përshtaten idetë e tij në format e reja të stërvitjeve, spese ne kemi lojtar që luajnë nivelet më të larta. Askush nuk duhet të vë në dyshim aftësië menaxhuese të tij, por përcaktuese do të jenë këto dy gjëra”, u shpreh ai.
Tutje, Statovci, thotë se pa marrë parasysh se kush vie – në stol, duhet të jetë trajner autoritativ.
“Nuk besoj që trajneri duhet të jetë patjetër i huaj, mendoj që është e rëndësishme që trajneri të jetë autoritativ, i cili ka bagazh dhe ka një karrierë të bujshme. Kemi lojtar që luajnë në arenën ndërkombëtare – në ekipe të njohura dhe mendoj që trajneri i ardhshëm duhet të jetë autoritativ.
Duhet një trajner që mund ta ruaj grupin – pasi kemi parë që kohëve të fundit ka pasur paknaqësi. Nuk ka rëndësi nënshtetësia”, shtoi gjithashtu ai.
Kurse, Dajaku – thotë se pasardhësi i Challandes, duhet të ketë një plan strategjik edhe për futbollistët e Superligës.
“Unë gjithmonë kam qenë me idenë se në planin strategjik sportiv – gjithnjë duhet të jenë dy, tre futbollistë, ose deri në pesë që përformojnë mirë në çdo sezon. Sigurisht edhe futbollistët e ri në moshë duhet të ftohen në listën e Përfaqësueses, sepsa ka përfitime të shumta. Klubet fitojnë asete të rëndësishme që mund t’i shesin”, përmendi Taulanti.
Teksa, Statovci shtoi se “duhet që ndeshjet e ardhshme, në miqësore të ftohen disa futbollistë nga Superliga. Superliga po rritet dhe ftesa e futbollistëve do i jepte vullnet edhe të rinjëve që të punojnë më shumë”.
Dardanët kishin rezultate për tu harruar në vitin 2021, pasi dështuan që të sigurojnë një biletë për në Katar. Teksa, sfida e radhës për ta do jetë Liga e Kombeve, ku gjenden në Ligën C, Grupi 2 – së bashku me Qipron, Estoninë, Greqinë dhe Irlandën e Veriut.